Michael Jordan është padyshim një nga më të mirët e historisë së basketbollit amerikan dhe atij botëror, për të mos thënë më i miri. Një palë atlete loje të veshura nga ai, në një ndeshje miqësore në gusht të vitit 1985, janë shitur në ankand për vlerën e 615 mijë dollarëve.
Ankandi kishte nisur që më 30 korrik dhe u mbyll dje. Kjo është shuma më e lartë e paguar ndonjëherë në një ankand për një palë këpucë. Ankandi është zhvilluar nga kompania “Christie’s”.
Këpucët e veshura nga “Air Jordan” janë përdorur në një ndeshje të luajtur në Trieste të Italisë. Në atë sfidë, legjenda e NBA-së realizoi 41 pikë, madje theu edhe tabelën pas një zhytje.
Për këto këpucë, blerësi anonim pagoi 615 mijë dollarë, ndërkohë që rekordi i mëparshëm i një palë këpucëve të shitura në ankand ishte 560 mijë dollarë (vendosur në maj të këtij viti në një ankand të “Sotheby’s”). Edhe ato këpucë ishin të Michael Jordan.