Vijon bojkoti i yjeve të tenisit në turneun e US Open në New York. Pak orë pasi fitoi turneun e Pragës, tenistja rumune Simona Halep, numri 2 në botë, ka marrë vendimin për të mos luajtur në grand slam e US Open, që nis më 31 gusht.
“Pasi u mendova gjatë dhe analizova të gjithë faktorët, vendosa të mos udhëtoj në New York. Gjithnjë kam thënë se do të vija mbi të gjitha shëndetin tim, ndaj preferoj të qëndroj në Europë dhe të stërvitem këtu. E di mqë në Amerikë kanë punuar fort për këtë turne, për të organizuar një event të sigurt”, – tha Halep, fituese e dy grand slam në karrierën e saj (Roland Garros-2018 dhe Wimbledon-2019).
Në këtë turne, te femrat, do të mungojnë për shkak të pandemisë së Covid-19 edhe numri 1 në botë, Ashleigh Barty, kampionia në fuqi Bianca Andreescu, Elina Svitolina, Kiki Bertens dhe Belinda Bencic. Pra, do të mungojnë 6 nga 20 tenistet më të mira në botë. Te meshkujt do të mungojnë Roger Federer e Rafael Nadal.