MENU
klinika

Nga Voice of America

Kryeministri libanez kërkon zgjedhje të parakohshme

09.08.2020 - 17:15

Kryeministri i Libanit Hassan Diab ka thënë se zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin është mbajtja e zgjedhjeve të parakohëshme. Njoftimi i tij erdhi pas përleshjeve të forcave të sigurisë me protestuesit në kryeqytetin Bejrut, pas zemërimit në rritje lidhur me shpërthimin e disa ditëve më parë që shkatërroi pjesën dërrmuese të qytetit dhe vrau më shumë se 160 njerëz.

Kryeministri i Libanit Hassan Diab ju drejtua vendit përmes një fjalimi në televizion. Ai premtoi zgjedhje të parakohëshme si rruga e vetme për të shpëtuar vendin pas trazirave të dhunshme që pasuan shpërthimin vdekjeprurës në kryeqytetin Bejrut disa ditë më parë.

“Jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, dhe jo vetëm për shkak të katastrofës dhe trajtimit të saj. Gjendja e jashtzakonëshme është e lidhur me rrugën dhe të ardhmen e këtij vendi. Do të donim që të gjitha partitë politike të bien dakord për periudhën e ardhshme. Jam gati të mbaj përgjegjësinë për dy muaj deri sa të arrijmë një marrëveshje. Të hënën në mbledhjen e kabinetit do të sugjeroj një projektligj për zgjedhje të parakohëshme.”Image

Më shumë se 160 njerëz humbën jetën dhe pjesa dërrmuese e Bejrutit u shkatërrua nga një shpërthim masiv në portin e qytetit. Njoftohet se afro gjashtë mijë njerëz u lënduan ndërsa dhjetëra rezultojnë të humbur.

Në kryeqytetin e Libanit, policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve që u përpoqën të kalojnë një barrierë për të arritur në ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që numri i të vdekurve nga shpërthimi së martës në portin e Bejrutit arriti në 158.

Rreth 10,000 njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër mënyrës se si qeveria po e trajton shpërthimin shkatërrimtar. Gjatë protestës u dëgjuan të shtëna.

Një polic u vra në përleshje me demonstruesit, njoftoi një zëdhënës i policisë.

Kryqi i Kuq tha se kishte trajtuar 117 persona të lënduar në vendin e ngjarjes, ndërsa 55 të tjerë u dërguan në spital. Në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të qytetit shpërtheu një zjarr.Image

Dhjetra protestues u futën në ministrinë e jashtme, ku dogjën një portret të Presidentit Michel Aoun, të cilin shumë libanezë e shohin si përfaqësues të një klase politike që qeveris Libanin prej dekadash dhe që ata thonë se është fajtor për krizat e thella politike dhe ekonomike.

“Ne do të qëndrojmë këtu. I bëjmë thirrje popullit libanez që të pushtojë të gjitha ministritë”, tha një demonstrues përmes megafonit.

Njerëzit u mblodhën në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të Bejrutit, disa prej tyre duke hedhur gurë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës, kur disa protestues u përpoqën të kalojnë barrierën në një rrugë që të çonte drejt parlamentit.

Protestuesit thërrisnin “Populli kërkon rënien e regjimit,” dhe mbanin pankarta me fjalët “Ikni, jeni të gjithë vrasës”.

“Duam një të ardhme me dinjitet, nuk duam që gjaku i viktimave të shpërthimit të shkojë kot”, tha protestuesja Rose Sirour.​

Reagon Ambasada e SHBA

Shtetet e Bashkuara thanë se mbështesin të drejtën e demonstruesve libanezë për protesta paqësore dhe u bënë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga dhuna.

Në një deklaratë, ambasada e SHBA në Bejrut tha se populli libanez ka vuajtur shumë dhe meriton udhëheqës që “ndryshojnë kurs, për t’iu përgjigjur kërkesave popullore për transparencë dhe përgjegjshmëri”.Image

Shpërthimi i së martës, më i madhi në historinë e Bejrutit, solli shkatërrime të mëdha në qytet. Qeveria ka premtuar se do të gjejë shkaktarët dhe do t’i verë përpara përgjegjësisë.

Disa banorë, që përpiqeshin të vinin rregull në apartamentet e dëmtuara rëndë nga shpërthimi, denoncuan qeverinë, të cilën e shohin si të korruptuar, duke thënë se ajo përsëri i la në baltë.

“Nuk kemi besim te qeveria jonë,” tha studentja Celine Dibo teksa pastronte gjak nga muret e apartamentit të saj. “Uroj që Kombet e Bashkuara ta marrin nën administrim Libanin.”

Disa njerëz thanë se nuk ishin aspak të befasuar që Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi këtë javë lagjet e tyre, ndërsa udhëheqësit libanezë nuk e bënë këtë.

“Ne po jetojmë në nivelin zero. Shpresoj se një vend tjetër do të donte të na merrte nën administrim. Udhëheqësit tanë janë një bandë njerëzish të korruptuar,” tha psikologia Maryse Hayek, shtëpia e prindërve të së cilës ishte shkatërruar nga shpërthimi.

Partia Kataeb e Libanit, një grup i krishterë që kundërshton qeverinë e mbështetur nga Hezbollahu i lidhur me Iranin, njoftoi të shtunën dorëheqjen e tre ligjvënësve të saj nga parlamenti.

“I ftoj të gjithë ligjvënësit të japin dorëheqjen në mënyrë që njerëzit të mund të vendosin se kush do t’i qeverisë, pa iasnjë imponim,” tha kreu i partisë Samy Gemayel, duke e njoftuar vendimin gjatë funeralit të një anëtari drejtues të partisë, i cili vdiq në shpërthim./VOA