MENU
klinika

Analiza

Demokracitë lëkunden por nuk bien, ndërsa autokracitë…

02.09.2020 - 10:40

Nga Andrew J.Nathan

Regjimet autoritare, gëzojnë shpesh më shumë mbështetje publike sesa qeveritë demokratike. Për të zbuluar arsyen, unë dhe kolegët e mi kryem Sondazhin e Barometrit Aziatik në 4 kohë të ndryshme, dhe në 14 vende aziatike midis viteve 2001-2016.

Ajo që zbuluam është se regjimet autoritare, vuajnë në fakt nga dobësi të mëdha me pasoja afatshkurtra dhe afatgjata. Kur u pyetën se sa besim kishin në 6 institucione të ndryshme qeveritare, të anketuarit në Kinë dhe Vietnam shprehen “shumë” ose “goxha” e besimit në institucionet, me një pikavarazh mesatar 4.4-5.3.

Ndërkohë të anketuarit në Japoni dhe Tajvan, shprehën një besim në shkallë 2- 2.6 ndaj institucioneve në vendet e tyre. Ndërkohë, kur i bëmë 4 pyetje nëse të anketuarit mendonin se forma e qeverisjes në vendin e tyre mund të zgjidhë problemet, qytetarët në Japoni, Tajvan dhe Korenë e Jugut, dhanë më shumë përgjigje “jo” sesa “po”, ndërsa qytetarët në Vietnam, Kinë, Mianmar, Kamboxhia dhe vende të tjera autoritare, u përgjigjën me shumë “po” dhe më pak “jo”.

Thuhet zakonisht se rezultate të tilla pasqyrojnë efektet e nacionalizmit dhe qasjen e qytetarëve tek media. Dhe kjo është e saktë. Në sistemet demokratike dhe autoritare, qytetarët që shprehin krenari ndaj vendit të tyre, kanë gjithashtu më shumë të ngjarë të shprehin mbështetje për regjimin.

Po ashtu, besimi më i madh tek media ka një efekt pozitiv në mbështetjen e regjimit në fuqi. Tek demokracitë, ku mediat janë të shumëllojshme dhe shpesh kritike ndaj qeverive, qytetarët që kanë më shumë besim tek media, kanë më shumë të ngjarë të mendojnë se e kuptojnë pse qeveria bën atë që bën.

Në sistemet autoritare, ku mediat janë të kontrolluara apo të ndikuara nga qeveria, qytetarët që u besojnë burimeve zyrtare, kanë më shumë të ngjarë të mbështesin regjimin. Dy grupe të tjera variablash janë më befasuese, dhe tregojnë dobësitë e regjimeve autoritare.

Së pari, ne zbuluam se mirëqenia ekonomike e familjes së të anketuarit, kishte pak ndikim në mbështetjen e tij për regjimin. Njerëzit dukej se ia njihnin meritat ose e fajësonin veten e tyre sesa mirë ose keq ishin ekonomikisht familjet e tyre, edhe pse ia atribuonin këtë gjendjes së përgjithshme të ekonomisë në vendin me regjim autoritar.

Nga ana tjetër, si në demokraci ashtu edhe në autokraci, qytetarët i jepnin më shumë peshë rolit të qeverisë në sigurimin e “drejtësisë”, e përkufizuar si garantimi i trajtimit të barabartë për të pasurit dhe të varfrit, mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe tubimeve, si dhe garantimin e qasjes në nevojat më themelore si ushqimi, veshja dhe strehimi.

Dhe ata i jepnin edhe më shumë peshë “efektivitetit” të qeverisë, pra aftësisë së saj për të luftuar korrupsionin, administruar sundimin e ligjit dhe zgjidhjen e atyre që të anketuarit i identifikuan si problemet më të rëndësishme me të cilin përballet vendi.

Këto gjetje flasin për një kërcënim afat-shkurtër të legjitimitetit të një lideri autoritar. Regjimet autoritare janë më të ndjeshme sesa demokracitë ndaj korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe gabimeve katastrofike të politikës, për shkak të fshehtësisë dhe të përqendrimit të tepërt të pushtetit në duart e një njeriu.

Ndërkohë në demokraci, qytetarët e pakënaqur mund të organizohen në lëvizje të ndryshme dhe të votojnë. Nën një regjim autoritar, pakënaqësia ka tendencë të ndërtohet gradualisht, derisa të shpërthejnë protestat masive, duke e rrezikuar potencialisht mbijetesën e regjimit.

Një arsye e fundit për dallimet në mbështetje, midis regjimeve autoritare dhe atyre demokratike, është kultura. Këtu, sondazhi përfshiu një pyetësor prej 9 pikësh për të matur vlerat tradicionale shoqërore si shmangien e konfliktit, mbrojtjen ndaj autoritetit, dhe besnikërinë e grupeve ndaj individualizmit.

Ai përfshiu edhe pyetjet mbi disa çështje, për të vlerësuar mbështetjen mbi parimet thelbësore liberale-demokratike, si liria e fjalës dhe e tubimit, pavarësia e gjyqësorit dhe ndarja e pushteteve. Me përjashtim të 2 vendeve, shumica mbështesnin vlera tradicionale që kanë prirjen t’i japin një legjitimitet më të madh regjimit në të cilin ata jetojnë, pavarësisht nëse është demokratik apo autoritar.

Po kështu, ekziston edhe një marrëdhënie statistikisht e rëndësishme, midis afirmimit të vlerave liberal-demokratike dhe kritikave ndaj qeverisë në fuqi. Roli i kombinuar i performancës dhe kulturës në gjenerimin e legjitimitetit të regjimit, flet për ekzistencën e

një dileme afatgjatë për regjimet autoritare.

Për të arritur rezultate të larta në qeverisje, si regjimet demokratike ashtu dhe ato autoritare do të ndjekin politika që promovojnë modernizimin. Por nga përkufizimi, politika të tilla bien ndesh me vlerat tradicionale, gjë që ndihmon në shpjegimin pse vendet autoritare që janë modernizuar më shpejt, kanë njëherazi përhapjen më të shpejtë të vlerave liberal-demokratike, sidomos midis qytetarëve të rinj dhe më të arsimuar.

Për më tepër, ndërsa vlerat liberal-demokratike – dhe kritikat ndaj qeverisë – bëjnë pjesë në politikën e demokracive, ato paraqesin një kërcënim unik për sistemet autoritare, pasi janë të lidhura fort me dëshirën për një regjim alternativ.

Në sondazh, ne paraqitëm tre forma alternative të sundimit autoritar, dhe pyetëm nëse të anketuarit do të pranonin ndonjë prej tyre. Ndoshta nuk është për t’u habitur, që qytetarët liberalë, si në regjimet autoritare ashtu dhe ato demokratike, i cilësuan jo tërheqëse që të tria, duke nënkuptuar se nuk shohin ndonjë alternative autoritare, që të jetë më e mirë se sa ato që kanë tashmë.

Por kur shtruam 4 pyetje në lidhje me cilësitë që të intervistuarit preferojnë tek një qeveri, ne zbuluam një preferencë për tiparet e regjimit liberal-demokratik në mesin e qytetarëve që besojnë tek vlera liberal-demokratike. Për shembull, të anketuarit u pyetën nëse besojnë se, “qeveria është në shërbimin tonë, se njerëzit duhet t’i tregojnë qeverisë se çfarë duhet të bëjë”, apo nëse ata besojnë se “qeveria është si një prind, që duhet të vendosë vetë se çfarë është e mirë për ne”.

Fakti që ata që u përmbahen vlerave liberale, dhe shfaqin një preferencë për tiparet e regjimit të lidhur me demokracinë liberale, nuk është befasues. Por implikimet janë të ndryshme për lloje ndryshme regjimi. Nëse këta qytetarë liberalë jetojnë në një demokraci, ata mund të jenë të pakënaqur me atë që kanë, por nuk do të preferonin një regjim alternativ.

Ndërkohë, në regjimet autoritare, sa më shumë përhapen vlerat liberale, aq më e madhe bëhet preferenca për tiparet e regjimit demokratik. Pra, ndërsa regjimet demokratike nuk duhet të shqetësohen se mos qytetarët e tyre liberalë mbështesin një sistem alternativ, ndërsa regjimet autokratike po.

Sigurisht, regjimet autoritare mund të përpiqen të përshpejtojnë gërryerjen e vlerave demokratike, siç ka bërë Kina me fushatat e saj për të ringjallur Konfucianizmin, dhe për të promovuar kultin e presidentit Xi Jinping. Këto përpjekje, i inkurajojnë të rinjtë dhe më të arsimuar të ndjehen krenarë për traditat dhe arritjet e vendit të tyre.

Por të njëjtat grupime janë gjithnjë e më të vendosur për të nxjerrë në pah individualitetin e tyre, mbrojtur të drejtat e tyre personale dhe pronësore, dhe mësuar më shumë rreth botës së jashtme. Ata duan një qeveri të përgjegjshme, që i bindet sundimit të ligjit.

Sa më mirë që e kryen një regjim autoritar misionin e tij për ta modernizuar shoqërinë, aq më shpejt vlerat liberal-demokratike do të zëvendësojnë vlerat tradicionale, dhe aq më e madhe do të bëhet përqindja e popullsisë që është e pakënaqur me sundimin autoritar. Pra, edhe regjimet autoritare më të suksesshme, janë duke i hapur gradualisht varrin vetes së tyre.

Shënim: Andrew J.Nathan, është profesor i shkencave politike në Universitetin e Kolumbias, SHBA / “Project Syndicate” – Bota.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Adrian Civici/ Rreziku nga një rihapje e shpejt

Dyshime e pikëpyetje rreth krizës COVID-19