Kina ka njoftuar kufizime të reja ndaj aktiviteteve të diplomatëve amerikanë, që punojnë në Kinë dhe në Hong Kong, dhe e quajti si një përgjigje të justifikuar ndaj masave të ngjashme të vendosura ndaj diplomatëve kinezë nga Shtetet e Bashkuara. Në një deklaratë të publikuar online, ministria e jashtme kineze deklaroi se rregullat do të zbatohen ndaj diplomatëve të lartë dhe personelit të ambasadës amerikane në Pekin dhe konsullatave në vend.
Megjithatë, ministria njoftoi se Kina i mbështet marrëdhëniet normale dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjithë sektorët dhe do të hiqen masat nëse Uashingtoni revokon kufizimet e vendosura në tetorin e kaluar. Asnjë detaj nuk u dha në lidhje me kufizimet e reja, por aktualisht diplomatët amerikanë përballen me kufizime.
Ndërsa rregullat e SHBA kërkojnë që diplomatët kinezë të raportojnë udhëtimet dhe takimet që do të zhvillojnë në territorin amerikan, një përpjekje që sipas Shtëpisë së Bardhë synon të parandalojë ndërhyrjet brenda komunitetit kinez dhe te studentët. Tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mbi tregtinë, teknologjinë dhe shumë çështje të tjera janë përshkallëzuar gjithmonë e më shumë, që kulmoi me mbylljen e konsullatës kineze në Houston në muajin korrik. Kina u kundërpërgjigj duke mbyllur konsullatën amerikane në qytetin e Chengdu.