Kryeministri Edi Rama ishte sot në prezantimin e flotës së autoambulancave. 36 autoambulanca do të jenë në shërbim të pacientëve me Covid, por edhe pacientëve të tjerë.
Kryeministri Edi Rama nuk la pa ironizuar edhe opozitën. Në Facebook, ai shkruan se do të kishte qenë hata komëtare, nëse pandemia do ta kishte gjetur Shqipërinë me opozitën aktuale.
“Me 36 autoambulancat e reja moderne, përmbyllet programi i transformimit të flotës sonë të Urgjencës Shëndetësore, nga një inventar karakatinash me 4 rrota në një fuqi të motorizuar e të pajisur me standardet më të mira europiane.
Imagjinoni vetëm sikur pandemia ta kishte gjetur Shqipërinë me katërrrotakët e katërshes së sotme opozitare dhe sidomos me LSI në drejtimin e shëndetësisë, se çfarë hataje kombëtare do të kishte qenë”, thotë Rama.
Rama u shpreh se pas pajisjes me këtë flotë autoambulancash, tashme duhet që puna të vazhdojë me intensitet.
“Gjithë ajo lemeri e rrënimi çerek shekulli është prapa krahëve. Me këtë ristrukturim të procesit mbetet për të mbajtur nivelin dhe për të vazhduar me intensitet. Momenti kur do kalojë kjo flama e covidit do të jetë shumë më e qetë, për aq sa mund të përdoret kjo fjalë. Do jetë më e stabilizuar”, deklaroi kryeministri.