MENU
klinika

Analiza

A ka Europa ende “asa nën mëngë” kundër Rusisë?

03.06.2022 - 09:00

Pas gati një muaji diskutime, Bashkimi Evropian ka rënë dakord për një ndalim të pjesshëm të naftës ruse, me synimin për të ndërprerë financimin e ”makinerisë” së luftës së Kremlinit. Sipas presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, tre të katërtat e importeve të naftës ruse do të hiqen menjëherë, duke shkuar në 90% deri në fund të vitit.

Cilat vende janë përjashtuar dhe pse?

BE-ja po ndalon menjëherë naftën nga deti, e cila është rreth dy të tretat e importeve ruse në BE. Nafta e transportuar përmes tubacionit Druzhba (“miqësia”) do të përjashtohet nga ndalimi, një lëshim ky për Hungarinë, e cila është shumë e varur nga nafta ruse.

BE-ja është e bindur se shumica e dërgesave të naftës ruse do të përfundojnë deri në fund të vitit, sepse Gjermania dhe Polonia, vende në degën veriore të Druzhbës, kanë premtuar të heqin dorë nga furnizimet e saj. Vendet në degën jugore të gazsjellësit të epokës sovjetike – Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke – do të përfitojnë nga përjashtimi i përkohshëm.

Kur do të kalojë BE në një embargo të plotë të naftës?

Kjo nuk është e qartë. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, premtoi se BE-ja do të diskutonte ta bënte “sa më shpejt të jetë e mundur”. Hungaria po kërkon para nga BE për të rindërtuar rafineritë e saj të naftës. Kroacisë i duhet gjithashtu kohë për të rritur furnizimet me fqinjin e saj verior përmes gazsjellësit Adria. Udhëheqësit e BE-së kanë shmangur dhënien e detajeve për datën e përfundimit të përjashtimit për Evropën Qendrore.

World's cartoonists on this week's events – POLITICO

Si do të ndikojë embargoja në luftën e Rusisë?

BE-ja po i paguan Rusisë rreth 1 miliard euro (850 milion £) në ditë për naftë dhe gaz, një burim për në financimin e luftës së tij kundër Ukrainës. Pakësimi i tyre shton problemet ekonomike të Rusisë në terma afatgjatë. Megjithatë, disa ekonomistë kanë paralajmëruar se mund ta ndihmojë Moskën në afat të shkurtër, pasi Rusia përfiton nga çmimet e larta. Diskutimet e gjata të BE-së i kanë dhënë gjithashtu kohë Rusisë për të gjetur blerës alternativë.

A ka BE më shumë “asa nën mëngë”? 

Përpara se BE-ja të kishte rënë dakord për embargon e naftës, disa vende tashmë po shqyrtonin sanksione të mëtejshme kundër eksportit më të madh të Rusisë: gazit. Para luftës, Rusia furnizonte 40% të gazit të BE-së, por udhëheqësit e BE-së kanë premtuar se do ta heqin gradualisht . Megjithatë, aleatët më të hapur të Ukrainës në BE, Poloni dhe shtetet baltike, mendojnë se BE-ja tani duhet të vendosë një datë përfundimi për gazin rus. Ky hap nuk është aspak i sigurt dhe do të jetë edhe më i vështirë se bisedimet për embargon e papërfunduar të naftës.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paketa e gjashtë e sanksioneve ndaj Rusisë

A do të përçahet BE në vendimin për embargon e naftës?

"Do t'ja vështirësonte jetën Vladimir Putinin"

Është koha për të frenuar importet e gazit rus