“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Konvulsionet febrile te fëmijët, çfarë duhet të di?
Mjeku: Konvulsionet febrile (të dridhura të trupit nën ndikimin e temperaturës) konsiderohen si lloji më i shpeshtë i konvulsioneve tek fëmijët e moshës 3 muaj deri 5 vjeç. Konvulsionet janë të dridhura të pavullnetshme të ekstremiteteve me tonizim të trupit.
Ato diferencohen nga llojet e tjera të konvulsioneve qysh prej mesit të shekullit XIX. Në atë kohë trajtimi konsistonte në eliminimin e shkaktarit të temperaturës. Me futjen në përdorim të termometrit në fundin e viteve 1880, u kuptua se temperatura ishte faktori primar në shkaktimin e konvulsioneve febrile.
Konvulsionet febrile janë dy llojesh: të thjeshta dhe komplekse
Konvulsionet febrile “të thjeshta” karakterizohen nga kriza të shkurtra, përgjithësisht të gjeneralizuara me kohëzgjatje deri 5 apo më shumë minuta, të shoqëruara nga temperatura e lartë.
Forma e dytë e konvulsioneve është forma “komplekse”: karakterizohet nga konvulsione të zgjatura mbi 15 minuta, kriza fokale, shpesh të dhëna EEG jonormale.
Zgjatja e krizës ndryshon nga pacienti në pacient. Kriza mund të paraqitet në temperaturë të ndryshme disa herë gjatë një dite apo periudha të zgjatjes së temperaturës.
Piku i incidencës së konvulsionve febrile është grupmosha 9-18 muaj.
Këto kriza janë të shoqëruara nga infeksione, si: tonsilitet, faringitet, otitet, etj.
Studime epidemiologjike kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në lidhje me frekuencën, historinë e sëmundjes dhe prognozën e konvulsioneve febrile.
Pothuaj në çdo artikull thuhet se “konvulsionet febrile janë tipi më i shpeshtë ndër konvulsionet e fëmijëve dhe hasen në 2–5% të fëmijëve.
Duke përdorur metodologji të ndryshme, studime të shumta kanë treguar se konvulsionet febrile hasen në përqindje të ndryshme në fëmijë të moshës nën 5 vjeç. Në vende të ndryshme vërehen incidenca të ndryshme si për shembull, Angli 2.4%, Izraeli 4.7%, Kili 4%, Japonia 7%, Ishujt Mariani 14%.
Arsyeja e kësaj mospërputhje gjeografike mbetet e pashpjeguar, por mund të jetë e lidhur me prirjen gjenetike apo faktorët ambientalë.
Në 28 fëmijë, njëri do të ketë konvulsione febrile. Konvulsionet febrile kanë 3 elemente kritike:
mosha,
temperatura,
prirja familjare.
Tendenca për konvulsione febrile është e lidhur me një stad të caktuar të maturimit të trurit. Mbetet e paqartë pse imaturimi i trurit është i prekshëm nga temperatura.
Ndër faktorët e rrezikut, më i rëndësishmi është prania në historinë familjare e konvulsioneve febrile. Sa më shumë të afërm të prekur, aq më i lartë rreziku.
Studime të ndryshme kanë treguar edhe faktorë rreziku të tjerë, si: pirja e duhanit gjatë shtatzënisë apo infeksionet respiratore të nënës gjatë 3-mujorit të parë të shtatzënisë.
Faktorët e rrezikut për përsëritje të konvulsioneve febrile
Autorë të ndryshëm kanë studiuar rrezikun për përsëritje të konvulsioneve febrile.
Rreth një e treta e fëmijëve që kanë pasur një konvulsion febril, do të kenë të paktën një përsëritje.
Studime të shumta kanë identifikuar faktorët e mëposhtëm si rrezik për përsëritje të konvulsioneve febrile.
Një histori familjare për konvulsione febrile.
Kriza e parë febrile para moshës 18 muaj
Një nivel jo shumë i lartë i temperaturës
Fëmijët me dy apo më tepër faktorë kanë rrezik për përsëritje 30% brenda 2 viteve.
50% e rrezikut për përsëritje realizohet brenda vitit të parë menjëherë pas konvulsionit të parë febril. 90% e fëmijëve që bëjnë përsëritje, kriza mund të shfaqet përsëri brenda 2 viteve.
Mosha është faktori përcaktues më i qëndrueshëm përsa i përket rrezikut të përsëritjes.
Me rritjen e moshës, rreziku për përsëritje bie.
Prania në historinë familjare e konvulsioneve febrile shoqërohet me rritje të rrezikut një deri dy herë. Fëmijët që kalojnë shpesh sëmundje febrile kanë rrezik të lartë për të bërë konvulsione febrile.
Deri në 50% e fëmijëve që bëjnë përsëritje, mund të bëjnë më tepër se një përsëritje. Faktorë të tjerë si historia familjare për epilepsia mund të luajnë gjithashtu rol në këta fëmijë që tashmë kanë bërë të paktën një përsëritje. Faktorë të cilët janë diskutuar shpesh, por që janë ende të paqartësuar mirë dhe ndikojnë në përsëritjet e konvulsioneve febrile, përfshijnë shenjat komplekse, anomalitë neurologjike.
Kalimi në epilepsi
Të dhëna nga studime të ndryshme epidemiologjike japin shifra se nga 2 deri në 10% e fëmijëve me konvulsioneve febrile zhvillojnë epilepsi. Në shumicën e studimeve rreziku i kalimit në epilepsi pas një krize febrile të vetme nuk është i konsiderueshëm në krahasim me popullatën normale. Madje dhe në popullata me incidencë të lartë për konvulsione febrile, si në Japoni nuk vërehen ndryshime domethënëse nga popullata me incidencë më të ulët. Faktorët e rrezikut për kalimin e konvulsioneve febrile në epilepsi janë si më poshtë:
Prania e anomalive neurologjike para krizës febrile
Konvulsionet febrile komplekse
Anamnezë familjare për epilepsi
Në rastin e konvulsioneve febrile komplekse, sa më shumë manifestime komplekse, aq më i madh rreziku. Fëmijët me kriza febrile të zgjatura dhe fokale, janë veçanërisht në risk të lartë për epilepsi.
Sa më shumë nga këta faktorë hasen, aq më e madhe është mundësia e kalimit në epilepsi. Dy nga faktorët e rrezikut më të rëndësishëm për kalimin në epilepsi janë anomalitë neurologjike dhe anamneza familjare për epilepsi. Ndërsa anamneza familjare për konvulsione febrile, mosha në krizën febrile të parë, temperatura dhe gjinia nuk kanë treguar të rrisin rrezikun për epilepsi pasuese.
Konvulsionet afebrile (pa temperaturë), mund të fillojnë nga disa muaj pas krizës febrile deri në pas 30 vjetësh, por 85% fillojnë pas 4 vjetësh.
Risku që një fëmijë që ka kaluar konvulsione febrile të bëjë konvulsione afebrile është:
2% në moshën 5 vjeç
4,5% në moshën 10 vjeç
5,5% në moshën 15 vjeç
7% në moshën 25 vjeç.
Konvulsionet febrile mund të paraprijnë forma të ndryshme të epilepsisë, si:
Epilepsia mioklonike
Epilepsia rolandike
Sindroma Panayiotopoulos
Sindroma Dravet
EEG
Edhe pse nuk është metodë e sigurt në parashikimin e prognozës së konvulsioneve febrile, EEG si metodë jo invazive mbetet e rëndësishme në vërtetimin e ndryshimeve strukturale të SNQ, si dhe si prediktor i kushtëzuar në prognozën e konvulsioneve febrile dhe kalimin e tyre në epilepsi.
Trajtimi
Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët me konvulsione febrile të thjeshta nuk kërkojnë trajtim afatgjatë me antiepileptikë.
Është shumë i diskutueshëm mjekimi i konvulsioneve febrile komplekse me terapi të vazhdueshme ku mendimet janë të ndara në dy grupe.
Grupi i parë mbështet idenë se konvulsionet febrile duhen mjekuar për të parandaluar kalimin në epilepsi.
Grupi i dytë, i cili bazohet në studime epidemiologjike, arsyeton se konvulsionet febrile janë përgjithësisht beninje. Sidoqoftë, shqetësim mbeten konvulsionet febrile shumë të zgjatura.
Prania e konvulsione febrile shkakton panik tek prindërit. Shpeshherë ata janë të painformuar mbi këtë situatë dhe gjenden krejt të papërgatitur për të vepruar. Ndjenja e frikës dhe e ankthit krijohet tek ata sa herë që fëmija i tyre paraqet temperaturë. Prandaj mjeku duhet t’i informoje prindërit me të gjithë informacionin e nevojshëm mbi konvulsionet febrile, mënyrën se si duhet të parandalohet kriza, veprimet që duhen ndërmarrë gjatë krizës dhe sigurisht që duhen informuar mbi prognozën e sëmundjes, e cila në shumicën e rasteve është beninje.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.