MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Marramendja (vertigo), trajtimi pa ilaçe

31.08.2022 - 09:26

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Marramendja (vertigo), trajtimi pa ilaçe

Mjeku: Çdo vit miliona njerëz në botë përballen me vertigon, një ndjesi që ju ose çdo gjë përreth jush është duke u rrotulluar. Kjo ndjesi mund të jetë shumë shqetësuese dhe rrit rrezikun që të rrëzoheni. Nëse jeni diagnostikuar me vertigo paroksizmale pozicionale beninje (VPPB), mos u ndjeni i vetmuar: të paktën 9 nga 100 të rritur janë të prekur, duke e bërë kështu një nga llojet më të zakonshme të vertigos të përsëritshme. Ajo çfarë është pozitive, është fakti që VPPB është e kurueshme. Fizioterapisti përdor teste të veçanta për të konfirmuar vertigon dhe përdor ushtrime dhe manovra specifike për t’ju ndihmuar.

Çfarë është VPPB?

Vertigo paroksizmale pozicionale beninje është një problem i zakonshëm i veshit të brendshëm që ndikon në sistemin vestibular, një sistem që ka rol në ruajtjen e ekuilibrit. Vertigo shkakton periudha të shkurtra marramendjeje kur koka juaj lëviz në pozicione të caktuara, të lidhura me gravitetin.

Beninje: do të thotë që çrregullimi nuk vë në rrezik jetën dhe zakonisht ky çrregullim nuk përkeqësohet.

Paroksizmale: do të thotë që vertigo (ndjesia e rrotullimit) ndodh papritur.

Pozicionale: do të thotë që vertigo nxitet prej ndryshimeve të pozicionit të kokës, më shpesh kur shtrihemi, kur rrotullohemi në krevat ose kur vështrojmë lart. Kjo ndjesi marramendjeje ose rrotullimi quhet vertigo.

Në pjesën e parë të veshit të brendshëm që njihet si utrikul, ndodhet një shtresë karbonati kalciumi. VPPB ndodh kur grimca të këtij materiali shkëputen dhe lëvizin në një pjesë tjetër të veshit të brendshëm që janë kanalet gjysmë rrethore (zakonisht në kanalin e pasmë). Këto grimca kristali kalciumi (otolite) ndonjëherë quhen “shkëmbinj të veshit”.

Kur lëvizni kokën në një mënyrë të caktuar, kristalet lëvizin brenda kanalit dhe ngacmojnë fundet nervore duke shkaktuar kështu tek ju marramendje. Shkaku i vertigos është shpesh i panjohur. Megjithatë, kristalet mund të lirohen për shkak të traumave në kokë, infeksioneve, sëmundjeve të tilla si sëmundja Meniere ose plakjes. Vertigo është më e hasur tek femrat dhe mund të jetë e trashëgueshme.

Çfarë ndjeni?

Vertigo ndodh më shpesh gjatë ndryshimeve të pozicionit, të tilla si shtrirja, rrotullimi në krevat, dhe të vështruarit lart. Mund të ndodhë një vonesë e shkurtër prej 15 sekondash nga momenti i ndryshimit të pozicionit deri tek fillimi i simptomës. Ndjesia e marramendjes, që quhet vertigo, është e shkurtër dhe intense dhe zakonisht zgjat rreth 15 deri 45 sekonda. Megjithatë, simptomat mund të zgjasin deri në 2 minuta në rast se kristalet ngecin në pjesë të veshit të brendshëm. Episodet e vertigos ndodhin shpesh për javë ose dhe muaj ndonjëherë. Gjatë këtyre episodeve, ju mund të ndiheni sikur dhoma rrotullohet rreth jush, mund ta ndieni kokën shumë të lehtë, ndiheni si pa ekuilibër dhe keni të përziera.

Shenjat dhe simptomat

Shenjat dhe simptomat e vertigos zakonisht zgjasin më pak se një minutë. Këtu mund të vijnë e ikin dhe madje të zhduken për një periudhë kohe dhe më pas rishfaqen. Lëvizja e kokës shkakton shumicën e shenjave dhe simptomave të vertigos, të cilat mund të përfshijnë:

Marramendje
Një ndjesi që ju ose çdo gjë përreth jush është duke u rrotulluar ose lëvizur
Humbje të ekuilibrit ose qëndrueshmërisë
Të përziera
Të vjella
Si diagnostikohet?

Diagnostikimi i vertigos bazohet nëse keni pasur një lloj të një lëvizjeje të pavullnetshme të syrit (e quajtur “nystagmus”) dhe nëse keni vertigo kur koka juaj lëviz në pozicione të caktuara.

Fizioterapisti kryen teste duke lëvizur kokën tuaj në mënyra të caktuara për të parë nëse shkaktohet vertigo apo lëvizje e pavullnetshme e syrit. Këto teste ndihmojnë fizioterapistin për të përcaktuar shkakun dhe llojin e marramendjes dhe, nëse duhet t’i drejtoheni mjekut për ndonjë ekzaminim tjetër.

Testet pozicionale kanë për qëllim që të rikrijojnë simptomat e vertigos. Duke lëvizur kokën në pozicione të caktuara dhe duke vështruar sytë tuaj, fizioterapisti mund të përcaktojë manovrën ripozicionuese të përshtatshme dhe të nevojshme për të reduktuar ose eliminuar vertigon.

Ekzistojnë lloje dhe shkaqe të ndryshme të marramendjes. Marramendja është e vështirë të përshkruhet prej njerëzve, duke e bërë vertigon dhe shkaqet e tjera të marramendjes më të vështirë për diagnostikim. Kur të flisni me terapistin, duhet të jeni sa më specifik në përshkrimin e simptomave.

Për shembull, shpjegoni nëse e ndjeni kokën të lehtë ose nëse shikoni ose ndjeni që dhoma ju rrotullohet gjatë një episodi. Gjithashtu, përshkruani se sa zgjasin simptomat tuaja (sekonda, minuta, orë apo ditë). Bëni më të mirën për të përshkruar se çfarë e përmirëson apo përkeqëson marramendjen. Për shembull, a përmirësohet gjendja nga qëndrimi pa lëvizur dhe pushimi?

Sigurohuni të diskutoni çdo sëmundje të fundit ose dëmtim, probleme me sistemin e imunitetit, ndryshimet në medikamente ose hormone, ose dhimbjet e kokës. Këto të dhëna janë shumë të vlefshme për fizioterapistin dhe mund t’ju ndihmojë në caktimin e një diagnoze të saktë ose t’ju tregojë nevojën për t’u drejtuar tek një specialist tjetër.

Si mund t’ju ndihmojë një fizioterapist?

Shumë njerëz shërohen prej vertigos me një manovër shumë të thjeshtë, por shumë specifike të kokës dhe qafës të kryer prej fizioterapistit. Këto trajtime ripozicionuese kanë qëllim të lëvizin kristalet prej kanalit gjysmë rrethor drejt zonës së duhur në veshin e brendshëm (utrikul). Trajtimi ripozicionues i quajtur “manovra Epley” përdoret për përmirësimin e gjendjes së kanalit të pasëm, kanali që preket më shpesh. Nuk është gjetur ndonjë mjekim efektiv për VPPB dhe në disa raste, mjekimi mund të shkaktojë më tepër dëmtim.

A mund të parandalohet?

Nuk njihen mënyra për parandalimin e vertigos, veçanërisht kur shkaqet janë të tilla si dëmtimet në kokë ose plakja. Personat që kanë pasur një herë eksperiencë me vertigo, mund të kenë përsëri simptomat nëse kristale të reja copëzohen dhe hyjnë në kanalin gjysmë rrethor ose nëse zhvendos kristalet duke vendosur kokën në pozicione të caktuara. Disa njerëz raportojnë që simptomat e tyre të vertigos shfaqen disi në mënyrë të parashikueshme, ndoshta në varësi të stinëve ose me ndryshimet e motit.

Brenda 3 viteve nga momenti i të paturit vertigo, rreth 50% e njerëzve mund të kenë përsëritje të kësaj gjendjeje. Vertigo që shkaktohet si pasojë e traumave në kokë, është më e mundshme për t’u përsëritur. Edhe pse vertigo mund të kthehet, ju do të jeni në gjendje të njihni simptomat dhe të kujdeseni në mënyrë që të lehtësoni pak gjendjen. Fizioterapisti aplikon manovrat e përshtatshme për të kthyer kristalet në pozicionin e tyre korrekt në veshin e brendshëm, dhe gjithashtu do t’ju mësojë se si të ushtroheni në mënyrë që të reduktoni ose eliminoni simptomat.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.