MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Sëmundjet e lidhura me marramendjen dhe ç’duhet të bëjmë

11.11.2022 - 11:02

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Sëmundjet e lidhura me marramendjen dhe ç’duhet të bëjmë

Mjeku: Marrja e mendve është vetëm një simptomë që duhet analizuar në tërësinë e simptomave të tjera, pasi numri i sëmundjeve që shoqërohen me marrje mendsh janë të shumta. Ajo vetë shfaqet si një simptomë e një sëmundjeje në sistemin vestibulo-marramendjecereblar ku përfshihet veshi dhe truri. Por vertigo mund të jetë dhe një simptomë shoqëruese e sëmundjeve të tjera, si p.sh në rastet e:

spondilartrozave cervikale,
sëmundje të enëve të gjakut që furnizojnë kokën me gjak,
sëmundje të zemrës,
veshkave,
mëlçisë,
sëmundjet infektive, etj.
Marrjet e mendve që lidhen me veshin, mund të jenë me natyrë imflamatore në rastet e otiteve kronike të patrajtuara apo meningjiteve, por në shumicën e rasteve janë me natyrë jo imflamatore dhe jo në të gjitha rastet janë të lehta për t’u diagnostikuar dhe mjekuar. Trajtimi i mirë i tyre në radhë të parë kërkon diagnostikim të saktë. E theksoj se ekzaminimi klinik është më i rëndësishëm se për çdo sëmundje tjetër.

Mjekimi bëhet shumë i lehtë nëse ne diagnostikojmë saktë, pra nëse gjejmë shkakun e duhur. Nuk janë medikamentet ato që mjekojnë sëmundjen, por është zbulimi i saktë i diagnozës, pasi dhe me medikamentin më të thjeshtë do të merrnim efektin e dëshiruar në shumicën e rasteve. Mund të përdoret medikamenti më cilësor, por nëse sëmundja nuk është diagnostikuar saktë, nuk do të kishte efekt qoftë dhe minimalisht.

Duke qenë se këto sëmundje kanë një dekurs që shkon drejt përmirësimit të vetvetishëm dhe pacienti ka filluar një mjekim, shpesh ndodhet përballë një dileme se përmirësimi i erdhi si pasojë e mjekimit apo natyralisht. Nga frika se sëmundja i përsëritet, ai vazhdon të marrë mjekim për një kohë të gjatë me indikacion dhe efekte shumë të dyshimta.

Prandaj duhet menduar mirë kur i fillojmë një mjekim pacientit, madje ka dhe një fenomen tjetër, që medikamente që nuk duhet të përdoren në krizat vertiginoze, por duhet të përdoren si mjekim mbajtës, përdoren në momentin e krizës ku vetë medikamentet në përshkrimet e tyre e kanë të shkruar që nuk përdoren në këtë moment dhe, për më keq, është ku si në asnjë vend tjetër, medikamentet i japin farmacistët së bashku me udhëzimet përkatëse.

Një vizitë tek mjeku i duhur për këto lloj shqetësimesh, do t’ju kursejë shumë gjëra dhe sigurisht që çdo gjë do të kalojë më lehtë dhe me më pak vuajtje dhe kosto shumë herë më të lirë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.