Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, makthi i luftës bërthamore ka qenë shpesh në vëmendjen e mediave, interes që lindi që me fillimin e pushtimit, por u forcua mbi të gjitha kur presidenti rus Vladimir Putin vendosi, menjëherë pas fillimit të “operacionit special ushtarak”, të vinte në gatishmëri forcat strategjike të vendit. Zgjedhja e kreut të Kremlinit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të shtypit, i cili filloi të pyeste se si mund të ndodhte një sulm bërthamor nga Moska. Nga njëra anë duhen studiuar bazat formale dhe strategjike, duke përdorur doktrinën bërthamore të Federatës Ruse. Nga ana tjetër, vihet në pikëpyetje procedura që mund të ndiqej. Studiuesit i referohen një dispozite të vitit 2020, të nënshkruar nga vetë Putini, me titull: “Parimet bazë të politikës shtetërore të Federatës Ruse për parandalimin bërthamor”.
Zinxhiri i komandës
Sipas nenit 18, “vendimi për përdorimin e armëve bërthamore merret nga Presidenti i Federatës Ruse”. Prandaj, duke se zinxhiri komandues i arsenalit bërthamor i Moskës, është vertikal, dhe në krye të tij është Kremlini, ose Putini specifikisht, i cili vendos nëse do të përdoret ose jo bomba. Prandaj, kjo nënkupton që vendimi varet nga nivelet më të larta të fuqisë politike dhe ushtarake në Rusi. Ndërsa neni 20, thotë se “Presidenti i Federatës Ruse, nëse është e nevojshme, mund të informojë udhëheqjen ushtarako-politike të shteteve të tjera dhe/ose organizatave ndërkombëtare për gatishmërinë e Federatës Ruse për të përdorur armën bërthamore apo vendimit për përdorimin e saj”. Edhe në këtë rast, roli politik i presidentit rus është thelbësor.
“Valixhja bërthamore”
Në rast të urdhrit të “goditjes së parë”, e ashtuquajtura “valixhe bërthamore”, e njohur në Rusi si Cheget, hyn në lojë. Ka tre çanta në Moskë: njëra është për presidentin, një për ministrin e mbrojtjes dhe e treta është për shefin e shtabit të forcave të armatosura. Prania e këtyre tre valixheve konfirmon atë që shumë vëzhgues kanë thënë që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, përkatësisht se për të aktivizuar një sulm bërthamor, procedura përfshin konfirmimin e të tre personave që kanë çantën. Arsyeja për të cilën, shumë menduan se një sulm bërthamor rus ishte i pamundur, ishte për shkak të mendimeve krejtësisht të ndryshme të Sergei Shoigu dhe Valery Gerasimov, që kur Putin vendosi forcat strategjike në gatishmëri. Megjithatë, ka hipoteza se për hedhjen e raketave nuk do të kërkoheshin të tre miratimet, por “të paktën dy”.
Metoda alternative
Në çdo rast, presidenti, edhe nëse ai është vendimmarrësi përfundimtar edhe në doktrinën bërthamore, nuk mund të vendoste vullnetarisht të nisë një sulm pa i vënë në dijeni dy drejtuesit më të lartë të mbrojtjes ruse. Pasi presidenti, si vendimmarrësi përfundimtar, urdhëron sulmin dhe dy çantat e tjera konfirmojnë dhënien e autorizimit të tyre përkatës, Cheget ia transmeton urdhrat e nisjes Shtabit të Përgjithshëm i cili, sipas Reuters, ua dërgon autorizimin komandantëve individualë të bazave, ose mjete të armatosura. Këto, nga ana tjetër, mund të kryejnë kështu procedurat e nisjes. Ekziston edhe një metodë tjetër: Shtabi i Përgjithshëm, në rast të prishjes së strukturave të komandës dhe kontrollit, mund të nisë drejtpërdrejt hedhje e raketave me bazë tokësore, duke shmangur kështu kalimin në zinxhirin komandues.
“Perimetri”
Së fundi, nuk duhet të harrojmë “Perimetrin”, edhe pse, siç shkruan “Il Giornale”, nuk duhet të merret parasysh në rast të një “goditjeje të parë”, pra një goditjeje nga Federata Ruse. Protokolli “Perimetri” do të hynte në veprim vetëm si një sulm hakmarrës, dhe përbëhet nga një sistem “back-up” për të mbajtur “gjallë” të gjitha kanalet e komunikimit midis bazave të nisjes dhe komandave, duke shkaktuar sulmin automatik, në mungesë të komandës dhe strukturave të kontrollit. Në thelb, nëse armiku duhet të godasë Rusinë fillimisht, dhe nëse do të shkatërroheshin çantat Cheget, do të hynte në lojë një sistem i paaftë për të dalluar arsyen e sulmit apo kërcënimin, por vetëm për të nisur një hakmarrje bërthamore katastrofike.