“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si trajtohen dhimbjet e gjurit?
Mjeku: Para se të kalojmë tek trajtimi, duhet të kuptojmë diçka, sepse kemi dy koncepte: trajtim dhe kurim. Trajtim do të thotë kur trajtojmë sëmundjen dhe kurim kur përpiqemi të zhdukim ekzistencën e saj. Fatkeqësisht studimet që janë bërë për artrozën e gjurit, nuk kanë zbuluar ndonjë medikament që merret nga goja ose injektohet direkt në artikulacion dhe ta shërojë atë. Prandaj kur flasim për artrozën, nuk mund të pretendojmë që ta kurojmë, sepse kurim në këtë rast do të thoshte që kërcin e dëmtuar, gërvishtur, plasaritur, holluar ta kthenim në gjendjen e mëparshme.
Kështu që trajtimi që ne i përshkruajmë pacientëve me medikamente, është i drejtuar drejt heqjes së dhimbjes dhe zakonisht e fillojmë me dhënien e paracetamolit, një medikament i thjeshtë, por që në artrozën e gjurit vepron shumë mirë si linjë e parë trajtimi ose me antiinflamatorët josteroid, një grup tjetër medikamentesh për dhimbje.
Përveç kësaj, mjekimit të pacientit për dhimbje përpiqemi t’i shtojmë edhe një grup tjetër preparatesh që quhen viskosuplemente (për shembull, Artilane), të cilët në vetvete janë lëndë ushqyese të kërcit. Rezultati që marrim nga këto, është lehtësimi i dhimbjes dhe ruajtja e kërcit nga dëmtimi i mëtejshëm.
Tek trajtimi konservativ hyn edhe fizioterapia. Një nga gjërat që ndodh tek pacientët që vuajnë nga artroza e gjurit është atrofia muskulare (hollimi, dobësimi i muskujve) përreth gjurit, kofshës dhe kërcirit. Duke qenë se pacienti nuk e përdor gjymtyrën siç duhet për shkak të dhimbjes, këta muskuj rrjedhimisht fillojnë e dobësohen. Kjo bën të nevojshme fizioterapinë, synimi i së cilës në këtë rast është të kthejë në gjendjen fillestare muskujt që janë holluar, atrofizuar.
Një mënyrë tjetër konservative është edhe mbajtja e një bastuni ose paterice. Është parë që mbajtja e një shkopi në anën e kundërt me gjymtyrën e prekur nga sëmundja e ul me 30% ngarkesën që i bie gjatë çdo hapi gjymtyrës së prekur nga sëmundja, dhe kjo lehtëson deri diku dhimbjen.
Ndonjëherë ne bëjmë edhe modifikime të këpucëve, sepse artroza e gjurit një nga pasojat e veta ka dhe deformimin e gjurit. Duke mos qëndruar drejt për shkak të dhimbjes, gjuri deformohet. Në mënyrë që të ekulibrojmë peshën e cila duhet të bjerë normalisht në qendër të gjurit, ne përshkruajmë këpucë ortopedike.
Tjetër trajtim konservativ janë edhe injeksionet artikulare, në rastin konkret injeksionet brenda gjurit. Ne kemi dy grupe barnash që i përdorim shumë shpesh tek pacientët në formën e injeksioneve brenda artikulacionit. Një nga këto janë kortizonikët që ne i injektojmë tek pacientët brenda gjurit, dhe tek shumë prej këtyre dhimbja lehtësohet në masë të konsiderueshme. Zakonisht pas injeksionit, dhimbja qetësohet për një periudhë 6-mujore, dhe shfaqet sërish.
Grupi tjetër është acidi hialuronik (një ndër substancat kryesore përbërëse të kërcit) i cili injektohet tek gjuri me qëllim trajtimin e dhimbjes.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.