MENU
klinika

Shtatë vjet stanjacion

Kredia ka “ngelur” në vitin 2011

30.08.2018 - 13:03

Kredia për ekonominë është në nivelin më të ulët që nga viti 2011. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan të enjten se portofoli i kredisë për ekonominë ngelet në nivelin më të ulët prej shtatë vitesh, megjithë një rritje të lehtë gjatë muajit korrik. Vlera e totale e kredisë aktive të dhënë nga sistemi bankar për ekonominë është rreth 533 miliardë lekë. Megjithë një rritje të lehtë me 2.5 miliardë lekësh krahasuar me qershorin, kredia është në nivelet e vjeshtës së shtatë viteve më parë. Kreditimi i ekonomisë prej vitesh po vuan kërkesën ende të dobët për kredi, sidomos nga bizneset. Dështimi i disa korporatave të rëndësishme, me kredi të mëdha në sistemin bankar, ka krijuar boshllëk në tregun e kredisë, por njëkohësisht i ka bërë edhe bankat vetë më konservatore. Ndërkohë, portofoli i kredisë u zvogëlua më shumë nga mbyllja e një pjese të overdrafteve të Korporatës Elektorenergjetike Shqiptare, të zëvendësuara me një linjë kredie të marrë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Guvernatori Sejko ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që bankat të shfaqin një sjellje më aktive, duke pasur parasysh përmirësimet në mjedisin ekonomik dhe uljen e raportit të kredive me probleme. Gjatë korrikut, rritja e huasë ishte e shpërndarë si në segmentin e biznesit, ashtu edhe në atë individëve. Kredia për bizneset sidoqoftë ngelet në rënie vjetore, ndërsa kredia për individë vazhdon të rritet, me rreth 5% në vit. Vlera totale e kredisë vuan sidoqoftë edhe efektin e kursit të këmbimit te pjesa e portofolit në valutë. Euro është zhvlerësuar ndjeshëm këtë vit, duke sjellë një ndikim të rëndësishëm në vlerën e portofolit të kredisë, që raportohet në lekë.