MENU
klinika

Serie A, java 5

Lazio kalon me lehtësi Genoan, Roma në krizë

23.09.2018 - 17:17

Lazio po ecën në një rrugë krejt të kundërt nga komshinjtë e Roma-s, teksa skuadra e Inzaghit ka arritur fitoren e tretë radhazi në fitoren 4-1 ndaj Genoa-s në Olimpico.

Ishte Caicedo ai që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 7’. Ciro Immobile dyfishoi rezultatin në minutën e 23’ dhe që nga ai moment u duk se do të ishte një pasdite e mirë për vendasit.

Gjithsesi, Piatek me golin e tij në minutën e 46’ rifut në lojë miqtë e Genoa-s por shpresat e tyre shuhen pak minuta më pas me golin e Milinkovic-Savic. Ndërsa në fund të takimit Immobile shënon dopietën e tij personale.

Pas dy humbjeve radhazi në fillim të sezonit, Lazio tani është në një pozicion të mirë dhe mund të fokusohet me qetësi në ndeshjet e radhës.

Ndërsa Roma vazhdon të zhgënjejë në Serie A dhe tani Eusebio Di Francesco rrezikon seriozisht vendin e punës. Me disfatën e radhës, Ujqërit tani kanë katër ndeshje pa shijuar fitoren në kampionat dhe ndodhen në vend të 12-të me vetëm pesë pikë nga po aq ndeshje.

Ishte Bologna këtë herë ekipi që e nënshtroi me rezultatin 2-0 në Stadio Renato Dall’Ara. Megjithëse ishin miqtë ata që e nisën rrezikshëm në sulm, ata nuk u treguan të saktë përpara portës, diçka që ai arriti ta bënte Mattiello në minutën e 36’ duke kaluar në avantazh Bologna-n.

Mundësitë që Roma të barazonte ishin të shumta, por Fazio dhe Florenzi nuk tregohen të qetë përpara portës dhe si pasojë vjen goli i dytë i Santander në minutën e 59’.

Goli i dytë i vendasve mund të quhet goli i nokautit, pasi Roma nuk arrin të reagojë më duke iu dorëzuar fatit. Një tjetër humbje e rëndë për kryeqytetasit, që tani mund të thuhet me plotë gojë që kanë hyrë në krizë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN