MENU
klinika

Çmimi në mbrëmjen Gala’

Cana zgjidhet “Albanian Sports Ambassador”

29.09.2018 - 12:17

Nata Gala’ e së premtes në Pallatin e Brigadave në kryeqytet ishte e tëra për ambasadorët e sportit shqiptar. Çmime e vlerësime gjatë një spektakli që mblodhi bashkë të premten në mbrëmje, personalitete të botës së futbollit, krerët më të lartë të Federatës shqiptare të Futbollit (Presidenti Duka, zv.presidenti Libohova dhe Sekretari i Përgjithshëm Shulku), njerëz me kontribute të mëdha në sport, si dhe shumë të tjerë.

Pas shpalljes së nominimeve në fillim të shtatorit, dje në mbrëmje u ndanë edhe Çmimet përkatëse. Kryetar i Jurisë ishte vetë Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka, i cili i dorëzoi çmimin kryesor “Albanian Sports Ambasador”, ish-kapitenit të ekipit kombëtar të futbollit, Lorik Cana.

Në nominimin për këtë çmim ishin Lorik Cana, Igli Tare dhe Edvin Murati, të tre ish-futbollistë të skuadrës kuqezi. Në përshëndetjen e tij, presidenti Duka theksoi:

“Një event që evidenton kontributet e dhëna në fushën e sportit. Ishim realisht në vështirësi konkrete për të zgjedhur fituesin, pasi gjithsecili ka peshën dhe potencialin e tij. Sidoqoftë një mbrëmje e tillë sjell vlerat më të mira të sportit, dhe një nismë e tillë duhet përshëndetur dhe vlerësuar”, – theksoi z.Duka që më pas i dorëzoi Lorik Canës, edhe trofeun e çmimit kryesor të mbrëmjes, “Albanian Sports Ambassador”.

Kjo mbrëmje i kushtoi një moment komemorativ shoqëruar edhe me një çmim special legjendës së futbollit kosovar z.Fadil Vokrri i cili u nda nga jeta disa muaj më parë. Djalit të z.Vokrri, çmimin ia dorëzoi zv.ministri i Arsimit dhe sporteve, z.Kostandin Shkurti.

Ndërkohë që me çmimet e tjera u vlerësuan edhe boksieri Luan Krasniqi, i cili në një akt fisnik bashkëndau këtë vlerësim të publikut (në votimin online) me z.Haki Doku, një tjetër kandidat i nominuar.

Një Çmim karriere shkoi për z.Igli Tare, Drejtorin Sportiv të Lazios. Nëna e futbollistit të ekipit kombëtar të futbollit Ansi Agolli, tërhoqi nga ish-trajneri i skuadrës kombëtare Gianni De Biasi, çmimin përkatës, në një kohë që u vlerësuan gjithashtu edhe portieri Thomas Strakosha, si edhe sportistët Izmir Smajlaj, Erblina Bici dhe Elizabeta Karabolli.

Çmimi në mbrëmjen Gala’
Çmimi në mbrëmjen Gala’

Në këtë mbrëmje spektakël, prezent ishin edhe përfaqësues të Trupës Diplomatike të Akredituar në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj, përfaqësues të biznesit e medias, e shumë personalitete të tjera.

“Albanian Sports Ambassador” – Ambasadori Shqiptar i Sportit nderoi kështu mbrëmë në edicionin e saj të parë, sportistët që kontribuan në imazhin pozitiv të Shqipërisë, përmes paraqitjes së tyre jashtë vendit.

Çmimet e ndara janë të lidhura ngushtësisht me suportin e projekteve sociale në Shqipëri dhe në Kosovë. Qëllimi i kësaj iniciative është që të frymëzojë njerëzit për të vepruar dhe për të bërë ndryshimet pozitive nëpërmjet sportit.

Vlera monetare e këtyre çmimeve nuk do t’u shkojë fituesve, por do të jetë për mbështetjen e tre projekteve të miratuara nga Presidenca e “Albanian Sports Ambasador” dhe që lidhen me:

  • Projektin për Shahun në Shkolla dhe krijimin e Akademisë së Shahun
  • Projektin e Fondacionit 5, për futbollin e fëmijëve
  • Projektin “Jo për gjakmarrjen, po për jetën”, – në shërbim të luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN