Skënderbeu, pavarësisht ndryshimeve të shumta, në futbollistë dhe staf, ka arritur sërish të triumfojë brenda në Vlorë, teksa ka mposhtur Flamurtarin 2-0, një rival direkt në luftën për titull.
Nis me agresivitet, qarkullim topi dhe pasime të shumta në mesfushë. Kështu janë minutat e para të sfidës, ndërsa rastet e para nisin të krijohen nga fundi i dhjetëminutshit të parë.
Presioni në rritje dhe loja e dobët e skuadrës vendase, bën që trajneri Ilir Daja të ngrejë zërin nga pankina, pasi hapësirat në mbrojtje dhe loja pa busull e Flamurtarit po bëhej e rrezikshme.
Pjesa e parë, pa asnjë minutë shtesë, mbyllet me rrjeta të pa prekura. Pjesa e dytë nis sërish me ritëm të lartë, teksa Skënderbeu kërkon të befasojë kundërshtarin, pas një goditje dënimi e ekzekutuar nga Radas.
E gjithë kjo situatë do të prodhojë edhe ndëshkimin fatal. Është minuta e 74-të kur në zonën e Flamurtarit ka rrëmujë, ndërsa shpërqëndrimin e mbrojtjes vlonjate e shfrytëzon Krasniqi, që gjuan dhe dërgon topin në rrjetë.
Goli sjellë “shkundjen” e vlonjatëve, të cilët mundohen të reagojnë, por pa u shfaqur asnjëherë kërcënues. Nga ana tjetër, lojtarët e Skënderbeut kombinojnë shumë mirë, ndërsa mbrojtja është e sigurtë në mbylljen e hapësirave.
Skënderbeu vijon të sulmojë dhe kërkon të mbyll ndeshjen. Minuta e 86-të, Dejvi Bregu në mesfushë jep një asist për Oto John, që del i vetëm përballë Koliçit dhe e dërgon topin në rrjetë. Mbyllet 0-2 dhe Skënderbeu mban vendin e parë.
Flamurtari – Skënderbeu 0-2
Krasniqi 74′, John 86′
Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Sirgi, Pollozhani, Kotobelli, Deliaj, Batha, Hysein (Mustafa 69′,Veliu 83′), Torasa, Musta (Alvesh 66′), Bushiç. Trajner: Ilir Daja.
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Sambou, Aliti, Dita (Demte 61′), Muzaka (Fili 90′), Lulaj, Gripshi, Bregu, Krasniqi (Oto Xhon 78′). Trajner: Orges Shehi.
Kartonë të verdhë : Kotobelli 47’ /Dita 21′, Gripshi 39′
Gjyqtarë: A. Koçi, D. Rexha, H. Lisaku, F. Lamaj; Pas porte: O. Kuka, K. Shahini