Numri i turistëve po rritet, megjithatë, Shqipëria ngelet një destinacion pak konkurrues në turizëm.
“Forumi Ekonomik Botëror” publikon çdo vit raportin e konkurrueshmërisë për turizmin, që krahason 136 shtete të ndryshme të botës, nëpërmjet përpilimit të një indeksi që merr në vlerësim disa faktorë, që nga ata ekonomikë deri te ata kulturorë.
Shqipëria është e 98-ta në botë në këtë renditje prej 136 vendesh, dhe është përmirësuar me 8 pozicione në këtë renditje në krahasim me një vit më parë.
Por, pavarësisht progresit, Shqipëria është e fundit në rajon, me përjashtim të Bosnje Hercegovinës. Maqedonia renditet 89, Serbia e 95-ta, Mali i Zi i 72-ti, Kroacia e 32-ta dhe Greqia e 24-ta. Ndër 5 nën-indikatorë, Shqipëria merr pikët më të ulta sa i përket ambientit të biznesit, vetëm 4.1 pikë, ndërkohë që pikëzimin më të lartë e regjistron te nën-indikatori që i referohet sigurisë.
Kur flitet për ambientin e biznesit, Shqipëria renditet e 109-ta në botë, ndër 136 ekonomi, ndërkohë që sa i përket sigurisë renditet e 46-ta në botë, duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit, dhe jo vetëm, por edhe vende si Italia, Gjermania etj.
Edhe sa i përket konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar në bazë të çmimeve, Shqipëria mbetet e fundit në rajon, duke u renditur e 83-ta në botë.
Pikët minimale, vetëm 1.1 pikë ndërkohë ia jep nën-indikatori i burimeve kulturore, si dhe ai i infrastrukturës së transportit ajror, sa i përket indikatorit që i referohet infrastrukturës. Në këtë nën-indikator Shqipëria renditet e 109-ta në botë.