Nuk është një spekulim mediatik që disa futbollistë përdorin Shqipërinë për të kaluar në kombëtare të tjera. Së fundmi, një futbollist shqiptar ka përdorur Kombëtaren U-21 për të fituar një ftesë nga përfaqësuesja zvicerane që e kishte harruar.
Mesfushori Kastrijot Ndau ishte pjesë e grumbullimit kuqezi në muajin shtator, pasi lojtari, i cili në të kaluarën kishte veshur fanellën e moshave të përfaqësueseve të Zvicrës, kishte shfaqur interes që të luante për Shqipërinë.
Mesfushori 19-vjeçar i Zyrich u ftua me Kombëtaren shqiptare U-21 për ndeshjen miqësore kundër Italisë, pasi për atë me Spanjën nuk kishte gati pasaportën shqiptare që të aktivizohej në ndeshje zyrtare.
Ndau luajti në minutat e fundit të ndeshjes kundër Italisë, duke bërë debutimin e tij si kuqezi. Por me sa duket, kaq ka qenë edhe objektivi i tij. Kjo pasi vetëm një muaj pas asaj ndeshje ndaj italianëve, ai është shfaqur përsëri me fanellën e Zvicrës U-20 që nuk e kishte grumbulluar asnjëherë më pare.
Ndau ka luajtur kundër Gjermanisë U-20 në miqësoren e përfunduar me shifrat 3-2 për gjermanët. Një sjellje jo e denjë, që tregon edhe një herë se sa kujdes duhet me elementë të tillë, të cilët përdorin përfaqësueset shqiptare për të rritur vlerat e tyre në treg, e treguar se sa pak lidhje kanë me ngjyrat kuqezi.