Në fund të muajit shtator, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar shqiptar arriti në nivelin rekord prej 18.2%. Ky tregues mat raportin mes kapitalit të sistemit bankar dhe vlerës së aktiveve, e ponderuar kjo me koeficientë rreziku, sipas llojit të investimit. Mjaftueshmëria e kapitalit është treguesi më i rëndësishëm në këndvështrimin rregullator, sepse mat aftësinë e bankave për të mbuluar me kapitalet e veta rreziqet e investimeve.
Rregullorja përkatëse e Bankës së Shqipërisë përcakton se ky tregues duhet të jetë të paktën 12%. Aktualisht, sistemi bankar në Shqipëri është në nivele 50% më të larta se kërkesat rregullatore. Rritja e këtij treguesi është rezultat i disa faktorëve.
Në vitet e fundit, aksionerët e bankave kanë aplikuar rritje të shpeshta kapitali, përkundrejt një mjedisi ekonomik sfidues. Por, faktori ndoshta më me peshë në këtë zhvillim është ecuria e ngadaltë e kreditimit. Në vlera absolute, portofoli i kredisë së sistemit bankar është në nivelet e shtatë viteve më parë.
Një faktor tjetër që e ka rritur akoma më shumë kapitalizimin e bankave është shfuqizimi këtë vit i disa prej masave rregullatore, që iu vendosnin bankave koeficientë më të lartë rreziku për investimet jashtë vendit.
Një nivel kaq i lartë kapitalizimi është pozitiv në kuptimin e sigurisë, por bart në vetvete sfida për të ardhmen. Një kapitalizimi shumë më i lartë se kërkesat rregullatore do të rezultojë në norma të pakënaqshme kthimi për aksionerët e sistemit bankar, duke e bërë këtë investim më pak atraktiv. Ndaj, ky nivel kaq i lartë kapitalizimi shtron edhe më shumë nevojën për rritjen e kreditimit për sektorin privat të ekonomisë. Kreditimi ngelet në ngërç, sidomos në segmentin e biznesit, edhe për shkak të ofertës së shtrënguar të bankave.