Padyshim që Dani Alves është një nga mbrojtësit më të mirë në rolin e tij, për të mos thënë më i miri aktualisht. Por gjithnjë mosha bën të vetën dhe ai është në prag të “pensionimit” dhe PSG kërkon një mbrojtës të djathtë.
Dhe duke qenë se për këtë rol Elseid Hysaj është në “top 10” më të mirët e botës, PSG e ka vënë në shënjestër. Drejtori sportivi francezëve Antero Henrique duket se nën mëngë ka kartën me emrin e Hysajt.
“Ai është një kampion, që mund të luaj në klube si Juventus, Real Madrid ose PSG. Ai është i destinuar për një karrierë të madhe kampioni. Ai vendosi që të qëndrojë te Napoli, sepse ai kishte filluar një projekt me Sarrin dhe të gjithë bashkë menduam që një titull do ta ndihmonte në këtë sezon. Do të shikojmë se çfarë do të ndodhë në qershor” – ka thënë menaxheri.
Dhe pas këtyre fjalëve, PSG është pozicionuar në ekipet që kërkon transferimin e lojtarit shkodran. Sipas asaj që bën me dije “Il Mattino”, transferimi i lojtarit në Paris mund të bëhet për 25 milionë euro.
PSG thjesht ka lëshuar një sinjal, por kujtojmë që verën e kaluar Hysajn e kërkuan ekipe si Bayern Munchen, Manchester United apo Chelsea, madje londinezët thuajse e morën, por punë prishi klauzola e Sarrit me Napolin, që nuk mund të merrte lojtarë nga ish-skuadra që drejtoi.