“Ne e dimë se urdhri për të vrarë Khashoggi erdhi nga nivelet më të larta të qeverisë saudite,” shkroi Erdogan në një artikull në Washington Post.
Por duke theksuar lidhjet “miqësore” të Turqisë me Arabinë Saudite, ai shtoi se nuk besonte se ishte i përfshirë mbreti Salman.
Khashoggi u vra në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.
Hetuesit turq besojnë se gazetari, i cili jetonte në mërgim, u mbyt gjatë vizitës së tij në Turqi për të mbledhur dokumente për martesën e tij të ardhshme me një qytetare turke.
Trupi i tij nuk është gjetur dhe një ndihmës i Presidentit Erdogan, Yasin Aktay, ka thënë se ai beson se është shpërbërë në acid pas prerjes.
Vrasja, e mbuluar fillimisht nga zyrtarë sauditë, shkaktoi një krizë diplomatike midis Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj.
Sauditët kanë arrestuar 18 të dyshuar, të cilët, thonë ata, do të ndiqen penalisht në Arabinë Saudite. Turqia dëshiron që ata të ekstradohen.