Barcelona ka përmbysur rezultatin në Vallecano në mënyrë spektakolare brenda 3 minuta në fundin e ndeshjes, duke fituar 3-2. Vendasit kanë shkuar shumë afër mrekullisë, por në fund janë dorëzuar.
Ishte Luis Suarez ai që kaloi në avantazh katalanasit në minutën e 11-të të ndeshjes pas një asisti të bukur nga Jordi Alba. Reagimi i vendasve ka ardhur pas 20 minutash, me goditjen e Pozo që ka përfunduar për pak jashtë.
Mesfushori i Rayo nuk ka bërë të njëjtin gabim në minutën e 35-të, kur ka mposhtur portierin Ter Stegen me një goditje të mrekullueshme nga jashtë zone. Gjithsesi, miqtë kanë patur mundësinë të ktheheshin në avantazh katër minuta para fundit të pjesës së parë, por goditja e Luis Suarez është ndalur nga shtylla e djathtë.
Përmbysja e befasishme ka ardhur në minutën e 57-të, me Alvaro Garcia që ka shënuar me portën e boshatisur, pasi goditja e Tomas me kokë përfundoi në shtyllë.
Kur mendohej se vendasit do të merrnin tri pikët, katalanasit kanë arritur të përrmbysin gjithçka me Dembele dhe Luis Suarez. Francezi ka barazuar në minutën e 87-të, ndërsa uruguajani ka fiksuar shifrat në 3-2 në të 90-ën.