Pothuasje të gjithë ne, në mos e dimë 100% historinë e lavdishme të Perandorisë Romake, sigurisht që kemi informacione të mjaftueshme për të, si një nga perandoritë më të mëdha të krijuara ndonjëherë.
Gjërat e vjetra, objektet, qytetet, ngrehinat, çfarëdo qoftë e vjetër, sjell një farë kurioziteti të çdokush. Të gjithë duam të shohim diçka që ka ekzistuar para nesh, jemi kureshtarë.
Tashmë, për sa i përket Romës antike, kjo gjë do të bëhet realitet, për cilindo që nuk ka mundësi ta shkojë dhe të vizitojë në Itali.
Rrënojat e vjetra do t’i çelin virtualisht dyert e tyre edhe pjesës tjetër të botës falë një projekti digjital të vënë në jetë sot pas dekadave përgatitje.
Turi “Roma Reborn” (Roma e rilindur) është projekti i parë që u ofron përdoruesve të saj kudo në botë për të vëzhguar mbi 7 000 ndërtesa dhe monumente siç ishin në vitin 320, me ndihmën e syzeve të realitetit virtual ose një kompjuteri të thjeshtë.
Ata që dëshirojnë të eksplorojnë Romën Perandorake mund të udhëtojnë virtualisht në këto vende mbresëlënëse.
“Ideja e këtij projekti më erdhi ndërmend që në vitin 1974. Isha i vendosur të gjeja një mënyrë për t’i treguar mbarë botës këto monumente të mrekullueshme, por nuk ekzistonte ende teknologjia”, deklaroi për median, drejtori i projektit, arkeologu digjital 69 -vjeçar Bernard Frischer.