MENU
klinika

Fokusi kriza Rusi-Ukrainë

Samiti i G20/ Çfarë do të diskutohet?

30.11.2018 - 10:43

Udhëheqësit botërorë po mblidhen në Argjentinë për samitin e tyre vjetor të G20 mes tensioneve të reja Rusinë-Ukrainën dhe një lufte tregtare Amerikë-Kinë.

Presidenti i SHBA Donald Trump ka anulluar një takim me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në shenjë proteste ndaj konfiskimit të anijeve ukrainase të Rusisë. Njëzet e katër marinarë u arrestuan në incidentin e Detit të Zi.

Një operacion masiv i sigurisë është duke u zhvilluar për samitin në kryeqytetin argjentinas, Buenos Aires.

Çfarë do të flitet në këtë samit?

Shpresat për përparim në bisedimet mes Trump dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping për tarifat janë shuar. Dy gjigandët ekonomik kanë nisur një luftë tregtare, e cila ndoshta mund të përshkallëzohet.

Ndryshimi i klimës premton të jetë një tjetër pikë e rëndësishme. Presidenti francez Emmanuel Macron u citua nga agjensia e lajmeve AFP të thoshte se do të refuzonte të nënshkruante një marrëveshje tregtare me bllokun e Amerikës Jugore nëse presidenti i zgjedhur brazilian Jair Bolsonaro tërhiqet nga marrëveshja e klimës në Paris.

Samiti është gjithashtu një provë diplomatike për princin saudit Mohammed bin Salman mes pyetjeve të vazhdueshme rreth përfshirjes së mundshme të shtetit saudit në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në Turqi.

Çfarë është thënë për krizën e Ukrainës?

Trump tha se nuk do të takohej me zotin Putin, sepse anijet e Ukrainës dhe marinarët e konfiskuar nga Rusia në Detin e Zi pranë Krimesë nuk ishin kthyer.

Ish-avokati i presidentit amerikan, Michael Cohen, deklaroi se kishte gënjyer në Kongres për një marrëveshje pronësie të Trump në Rusi gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Kancelarja gjermane Angela Merkel fajësoi Rusinë dhe tha se ajo do ta bisedojë çështjen me Putinin.

Megjithatë, ardhja e zonjës Merkel në samit është vonuar nga një gabim teknik në avionin e saj. Aeroplani u detyrua të ulet në Këln të enjten mbrëma dhe ajo nuk do të shkojë në Buenos Aires derisa udhëheqësit e tjerë të kenë filluar diskutimet e tyre.

Çfarë është G20?

G20 mbledh së bashku udhëheqësit e 19 vendeve më të industrializuara në botë plus BE.

Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA janë të gjitha të përfaqësuara.

Samiti i vitit të kaluar, në qytetin gjerman të Hamburgut, u shoqërua me protesta të dhunshme.

Në Buenos Aires, ka më shumë se 20,000 policë për të ruajtur rendin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN