MENU
klinika

Përmbledhja ditore e rajonit

BE-ja me kërkesë specifike për dialogun Kosovë-Serbi

15.12.2018 - 17:57

Kosovë

Ende nuk është caktuar ndonjë datë nga Bashkimi Evropian për takimin e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por para se të ndodhë një takim i tillë kërkon heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë vendimin për taksën ndaj produkteve serbe, pasi masat e marra nuk ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Maqedoni

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev më herët tha se nuk është koha për ushtrinë e Kosovës. Ai u mundua që ta arsyetoj këtë qëndrim me qëndrimin e NATO-së për këtë hap të Kosovës.

Por, i mënjëhershëm ka qenë reagimi i partisë opozitare në Maqedoni, Aleanca për shqiptarët që udhëhiqet nga Ziadin Sela, duke e porositur Zaevin se Kosovën pa ushtri e do vetëm Serbia dhe Rusia.

Greqi

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, tha se me Marrëveshjen e Prespës, e majta nuk e ka dorëzuar, por e ka shpëtuar trashëgiminë kulturore dhe historike të Maqedonisë greke.

Ai mbrëmë nga Selaniku, gjatë organizimit të një ngjarjeje nga partia Syriza, shtoi se pas 25 vjetëve nacionalizëm nga të dyja vendet kanë penguar çdo përpjekje për zgjidhje, ndërsa ata arritën zgjidhje.

Maqedoni

Me një ceremoni solemne Universiteti i Tetovës shënoi 24 vjetorin e themelimit. Të ftuar në këtë akademi ishin edhe përfaqësues të Qeverisë, Kuvendit, rektor të universiteteve të ndryshme në vend, si dhe përfaqësues të botës shkencore dhe akademike.

Rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti fillimisht falënderoi studentët e parë që ngritën UT-në, nderoi themeluesin dhe rektorin e parë Fadil Sulejmani, familjen e dëshmorit Abdylselam Emini, si dhe të gjithë ata që ndihmuan në themelimin e UT-së në forma të ndryshme.

Kosovë

Të shtunën në orën 10:00 takohet kryesia e Kuvendit të Kosovës për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, në rend të ditës do të jetë vetëm një pikë, ajo e kërkesës së 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projektrezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Serbi

Shefi i shtabit të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviç, vlerësoi se situata në Kosovë pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, por ka deklaruar se ushtria serbe është e gatshme t’u përgjigjet të gjitha sfidave dhe kërcënimeve dhe se qytetarët nuk duhet të shqetësohen.

Ai shtoi se nga komandanti i NATO-së në Evropë, gjenerali Kurtis Scaparoti, ka marrë garanci se siguria dhe stabiliteti do të jenë prioritet i NATO-së në Kosovë, me zbatimin e plotë të mandati dhe misionit të KFOR-it në terren. /Konica.al/