MENU
klinika

Takimi i fundvitit

Sejko: Përmbushja e misionit, e pamundur pa median

20.12.2018 - 15:41

Me rastin e mbylljes së vitit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me publicistë, gazetarë dhe përfaqësues të medias në Shqipëri. Guvernatori nënvizoi se komunikimi për një bankë qendrore konsiderohet një proces mjaft i rëndësishëm dhe përmbushja e misionit të Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar do të ishte një mision i pamundur, pa ndihmën dhe objektivitetin e medias.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj medias për rolin konstruktiv në përcjelljen e lajmeve mbi ekonominë, financat, paranë, sistemin bankar, inflacionin, qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe rreziqet ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia e vendit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko garantoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion i hapur, ku mediat mund të gjejnë në vazhdimësi një dritare të hapur komunikimi për gjithë spektrin e lajmit ekonomik dhe financiar, bashkëkohor, profesional dhe të paanshëm.

Gjatë këtij aktiviteti, u ndanë dhe tre çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2018”.

Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me integrimin dhe zhvillimin ekonomik, ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, etj.