Mikelanxhelo Buonaroti, skulptor, piktor, arkitekt e poet italian, që lindi në Kapreze më 6 mars 1475, do të mbetet në mendjen e njerëzve si një mister i krijimit tokësor, si njeriu i perëndishëm i penelit.
Portagonist i i padiskutueshëm i Rilindjes Italiane, por edhe krijues i famshëm në të gjithë botën me veprat si: “Davidi” e “Moisiu”, “Kapela Sikistine” etj. Së fundi, kryevepra e tij “Adoleshenti”, vjen në Romë për herë të parë pas 230 vjetësh, ku do ekspozohet në sallën e Fondacionit Alda Fendi – Esperimenti në Romë deri në 10 mars.
Vepra, e cila vjen nga Muzeu Shtetëror Ermitage në Shën Petërsburg, inauguron një marrëdhënie prestigjioze midis institucionit rus dhe atij italian.
Vepra e artit
Vepra e magjishme “Adoleshenti” prezanton një djalë të ri, me një trup atletik, përkulur në një bllok mermeri të papërpunuar, në një pozicion të pasigurt, që simbolizon fazën e ndërmjetme mes fëmijërisë dhe rinisë.
Bie në sy gjallëria e muskujve të figurës së djaloshit të ri, rreth e qark të cilit mbizotëron një pamje heroike, me një vështrim që bie poshtë, për sa i përket përfshirjes së gjestit, ndoshta edhe ndrojë, ndërkohë ajo çfarë të bën vërtet përshtypje dhe ngjall kërshëri është floknaja e gjallë.
Blloku i papërpunuar i mermerit, ku mbështetet i riu përshkruan forcën e Mikelanxhelos në orvatjet për ta liruar imazhin plastik nga ndjenja e robërisë.
Sergej Androsov, shefi i Departamentit të Arteve të Bukura të Evropës Perëndimore të Ermitage, shprehet: “Është e mahnitshme se si Mikelanxhelo ka arritur ta vendosë figurën e këtij të riu në një bllok mermeri me përmasa të vogla dhe në formë katrore dhe, më pas, e nxjerr prej andej, duke eliminuar gradualisht gjithë pengesat për të liruar figurën e burgosur aty.
Por në të njëjtën kohë duke vëzhguar statujën, arrijmë të dallojmë se qenia është ende e lidhur me bllokun e mermerit ende i pashkatëruar tërësisht.
Artisti nuk e ka shkërrmoqur plotësisht materialin dhe megjithatë krijimi i tij ka marrë jetë mrekullisht dhe tashmë lëshoi psherëtimat e tij të para”.
Gjithnjë sipas Androsov, periudha e realizimit të veprës daton në vitet e ankthshme kur Mikelanxhelo ishte strehuar në manastirin Shën Lorenzo, pasi kishte marrë pjesë në mbrojtjen e Republikës fiorentine: ky është edhe justifikimi i vizionit tragjik të botës së shtatores, që materializohet në një djalë të ri mbyllur në vetvete brenda murit të refuzimit të shoqërisë.
Kemi të bëjmë me ekspozitën e jashtëzakonshme të “Adoleshentit” të Mikelanxhelos, që vjen nga “Ermitage” i Shën Petersburgut, çka shënon fillimin e një bashkëpunimi midis Rusisë dhe Italisë: janë caktuar bursa dhe salla studimore, të rezervuara për një numër të përzgjedhur hulumtuesish rusë, aktivitete të përbashkëta shkencore dhe kulturore dhe ekspozita e kryeveprave që vijnë nga “Ermitage” e Shën Petersburg në Romë në Palazzo Rhinoceros, selia e Fondacionit Alda Fendi.
Ekspozita, me hyrje falas, është një mundësi për të vlerësuar nga afër pasionin për njeriun, për forcën, bukurinë dhe guximin, që e dallon Mikelanxhelon nga bashkëkohësit e tij. Një ekspozitë që nuk duhet humbur.