MENU
klinika

Kapitalizimi dhe likuiditeti, nivele rekord

Bankat “notojnë” në para

14.01.2019 - 12:49

Sistemi bankar shqiptar ka arritur nivele rekord të kapitalizimit dhe likuiditetit në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 18.2%. Ky raport është më shumë se 50% më i larta në raport me minimumin e detyrueshëm rregullator prej 12%.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitali mat raportin mes kapitalit të bankave dhe vlerës së aseteve të tyre, të peshuar me koeficientët rregullatorë të rrezikut. Rritja e mjaftueshmërisë së kapitalit ka ardhur për disa arsye. Bankat në vitet e fundit kanë aplikuar shpesh rritje të kapitalit. Në disa raste kjo është bërë të forcuar qëndrueshmërinë e bankave dhe për të mbështetur rritjen e mëtejshme të tyre, në disa raste kjo është kërkuar nga Banka e Shqipërisë. Në veçanti, bankat me kapital grek kanë pasur kërkesa më të larta për kapitalizim dhe kjo ka ndikuar në rritjen e mesatares së sistemit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, kreditimit në nivel sektori nuk është rritur. Duke qenë se kreditë janë edhe asetet kryesore me rrezik të sistemit bankar, stanjacioni i tyre ka ndikuar në rritjen e raportit të  mjaftueshmërisë së kapitalit. Gjithashtu, vitin e kaluar u shfuqizuan disa prej masave rregullatore, që iu vendosnin bankave koeficientë më të lartë rreziku për investimet jashtë vendit. Ky zhvillim gjithashtu ndikoi në një rritje të treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Në nivele shumë të larta paraqitet edhe gjendja e likuiditetit. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti mes aktiveve likuide, me maturim deri në një vit dhe detyrimeve afatshkurtra me të njëjtin maturitet, në fund të nëntorit 2018 ishte pothuajse 46%. Kjo ka ardhur njëherësh nga rritja e investimeve afatshkurtra, por edhe nga zhvendosja e depozitave drejt maturiteteve afatgjata.

Ndërkohë, raporti mes kredive dhe depozitave është më pak se 50%. Likuiditeti i lartë nënkupton se bankat kanë aftësi të mjaftueshme për t’ju përgjigjur tërheqjeve të mundshme të fondeve të depozituara nga klientët.

Niveli i lartë i kapitalizimit dhe likuiditetit janë zhvillime pozitive në drejt të sigurisë së sistemit bankar. Por, nga ana tjetër, nivelet tepër të larta të kapitalizimit dhe likuiditetit mund të sjellin një rënie të eficencës dhe përfitueshmërisë në afatin e gjatë. Ky fakt vë sërish në dukje edhe sfidën për një rritje të huadhënies me të cilën po përballet sistemi bankar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


U rrit sërish për shtatorin

Bankat, fitimi arrin në 114 milionë euro

Rezultatet e 9-mujorit

Ja bankat me fitim dhe ato me humbje