Një betejë e vitit për artin, po buçet nëpër muzetë e botës. Kush është më i madhi i pikturës, Leonardo apo Rembrandti?
Kjo është dilema që shtron në ditoren Guardian, kritiku i artit Jonathan Jones.
Dy gjenitë shënojnë përvjetorë të rëndësishëm këtë vit. Në Holandë, viti 2019 është zyrtarisht viti i Rembranditit.
“Rijksmuseum” i Amsterdamit, “Mauritshuis” në Hagë dhe Muzeu “Lakenhal” në Leiden po i bëjnë gati ekspozitat për 350-vjetorin e vdekjes së tij (1669). Megjithatë, Rembrandti nuk po e merr këtë vit vetëm për vete, sepse e njëjta po ndodhë për 500-vjetorin e vdekjes së Leonardos (1519).
Kjo është një arsye e madhe për ekspozita nga Koleksioni Mbretëror i Britanisë dhe Biblioteka Britanike, si dhe për një retrospektivë të madhe në Luvër.
Pra, cili është përvjetori më i madh?
Më e zgjuar mund të duket të vësh bast te Rembrandti. Arti i tij është aq absorbues, tragjik dhe i brendshëm. Portretet e tij janë ekuivalente të Mbretit Lir. Ai është piktor në hijet e të cilit shpirti mund të sorollatet.
Për dallim nga ai, Leonardo është një yll popi që çrregullon tregun edhe 500 vjet pas vdekjes së tij. A nuk është kjo paksa irrituese?
Është e vështirë të mos ndjeheni të tjetërsuar në mesin e të gjithë turistëve me telefona të zgjuar përpara “Mona Lizës”. Nuk ka atje shumë vend për një bashkim të heshtur meditues të cilin mund ta gjeni me një Rembrandt.
“Autoportreti i Rembrandtit me dy rrathë” ka gjasa të rrethohet nga kamerat nëse e nxirrni nga shtëpia “Kenwood House” në Londër. Ju mund të shikoni sytë e errët të artistit të vjetër, teksa ata sy po ashtu të sodisin ty.
Prania e tij e ndërgjegjshme përgjon nga përmbledhjet e buta të ngjyrave të mbyllura. Ai e përdor furçën për të krijuar vetveten dhe atë që duket si një hartë e papërfunduar e botës. Rembrandti duket fisnik dhe i krisur, që shikon si një person i trazuar tjetrin.
A ka krijuar Leonardo ndonjëherë një njeri kaq dyshues e të gjallë?
Unë do të përgjigjesha me një pyetje tjetër: a është dikush nën moshën 30-vjeçare që ia ka ndier ndonjëherë për Rembrandtin?
Autoportretet që hetojnë brendësinë janë në rregull, por ka një universalitet te Leonardo që e vë atë në një ligë tjetër.
U bëra tifoz i gjenialitetit të tij kur isha rreth tetë vjeç. E kisha një libër të serisë “Ladybird”, për artistët e mëdhenj.
Historia e Leonardo da Vincit ishte si një përrallë. Aty ishte një pamje e tij duke blerë zogj në treg, veç për t’i liruar.
Çfarë ka Rembrandti për një tetëvjeçar? Dhe, sa kopje do t’i shiste “Kodi Rembrandt”?
Sa për thellësi, është test i rrejshëm të krahasosh autoportretin e Rembrandtit me “Mona Lizën”. Për ta kuptuar mrekullinë e vërtetë të Leonardos, duhet të shikoni vizatimet e tij. Ai ka përfunduar shumë pak piktura dhe të gjitha ato janë porosi ku vetë-shprehja lufton me kërkesat e klientëve.
Por, në fletoret e tij, Leonardo vërtetë lartësohet. Faqe pas faqeje ai e studion natyrën, harton makineri, shpik armë, planifikon fortifikime dhe kërkon sekretin e fluturimit.
Kryesoret nga të gjitha këto hetime pamore janë vizatimet e tij anatomike. Këto janë përgjigjet e tij artistike ndaj portreteve të Rembrandtit dhe ato janë gjithashtu një mrekulli e shkencës. Ai shkroi për frikën që ndiente kur qëndroi gjithë natën në një dhomë të fshehtë plot me trupa të të vdekurve.
Nga këto eksperimente prodhoi vizatime që depërtojnë literalisht më thellë se Rembrandti. Në vend që të tërhiqet nga fytyra, Leonardo gërmon dhe kërkon strukturën e fshehur të jetës.
Vizatimet regjistrojnë zbulimet trupore që tejkalojnë portretet më të mëdha të Rembrandtit si imazhe të asaj se çfarë është njerëzore. Nuk ka punë më intriguese në artin tokësor sesa paraqitja e një fetusi në mitër, të strukur si një kapsulë e lidhur me yjet.
Misteri drithërues i vizatimeve të Leonardos, të mushkërive dhe zemrave, saktësia e studimeve të tij të syrit dhe të trurit janë veprat e tij më të ndjeshme e më befasuese. Vizatimet e tij anatomike i përkasin Mbretëreshës dhe shumë nga to do të shfaqen në shumë vende gjatë këtij viti.
Sigurisht, Rembrandti është një Shakespeare i pikturës. Por, Leonardo është Shakespeare, Einstein dhe vëllezërit Wright i mbërthyer në një.
Jonathan Jones