MENU
klinika

Pas vitesh akuza politike

Linda Rama jep dorëheqjen nga ABI Bank

10.01.2019 - 10:42

Bashkëshortja e kryeministrit, Lindita Rama, ka dhënë dorëheqjen nga Këshilli Drejtues i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank). Ajo ka paraqitur dorëheqjen më datë 20 dhejtor, ndërsa asambleja e aksionerëve e ka miratuar dorëheqjen një javë më vonë.

Së bashku me zonjën Rama, nga Këshilli Drejtues ka dhënë dorëheqjen edhe anëtari tjetër, shqiptaro-amerikani Richard Steele Lukaj. Të dy e kanë argumentuar dorëheqjen me arsye personale.

Prania në këshillin drejtues e zonjës Rama kishte bërë që ABI Bank të bëhej objekt akuzash të shpeshta politike nga opozita, duke u etiketuar si “banka e kryeministrit”. Këto akuza mbështeten edhe në dyshimet lidhur me faktin që kontrolluesit e tërthortë të ABI Bank janë kompani offshore, të regjistruara në Ishujt Kajman.

Banka Amerikane e Investimeve hyri në tregun bankar në vitin 2015, kur institucioni financiar Tranzit bleu aksionet e bankës Credit Agricole Shqipëri. Deri në atë, kohë Tranzit ishte një kompani e vogël, me aktivitetet kryesisht në mbledhjen e borxheve të këqija. Aksionerë kontrollues të Tranzit janë dy kompani të grupit NCH Capital, të regjistruara në parajsën fiskale të Ishujve Kajman.

Sipas informacionit zyrtar, NCH Capital zotërohet nga dy shtetas amerikanë, George Rohr dhe Moris Tabacinic; por aktiviteti i grupit ka qenë i përqendruar në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, sidomos në ish-Bashkimin Sovjetik.