Borxhi publik u ul për të tretin vit radhazi dhe arriti në 67.16% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit të kaluar. Mbështetur në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, borxhi publik ishte rreth 1.1 trilionë lekë ose rreth 8.8 miliardë euro.
Edhe vitin e kaluar qeveria ka përfituar nga kushtet e favorshme të tregjeve dhe normat e ulëta të interesit. Interesi mesatar i borxhit publik ra më tej në 4.18%, duke shënuar një minimum të ri historik.
Qeveria e ngadalësoi më tej huamarrjen e brendshme dhe stoku i borxhit në tregun vendas u rrit me vetëm tre miliardë lekë, ndërsa në terma realë ra me afro dy pikë përqindje, në 35.5% të PBB-së.
Borxhi i jashtëm në vlerë nominale u rrit me 16 miliardë lekë dhe përbën afërsisht 32% të PBB-së. Në të njëjtën kohë, po vijon edhe procesi i zgjatjes së maturitetit mesatar të borxhit.
Megjithëse zyrtarisht borxhi publik është në rënie, në vitet e fundit janë shtuar me ritme të shpejta projektet e partneritetit publik-privat me financim buxhetor.
Vlera e këtyre kontratave formalisht nuk klasifikohet si borxh, por rreziqet afatgjata që shtrohen për financat publike janë të ngjashme.
Sipas të dhënave më të të fundit të raportuara nga Ministria e Financave, vlera e PPP-ve të kontraktuara deri tani është rreth 544 miliardë lekë.
Për të frenuar rritjen e mëtejshme të detyrimeve nga PPP-të, qeveria ka propozuar ndryshime në ligj, të cilat nuk do të lejojnë më pranimin e propozimeve të pakërkuara.
Projektligji në fjalë u miratua nga Komisionet Kuvendore, ndërsa pritet të votohet së shpejti në seancë plenare.