Rusia sot shënon përvjetorin e pestë të aneksimit të Krimesë nga Ukraina, një veprim që nuk u mbështet nga Kievi dhe aleatët e saj perëndimorë, por festohet nga shumica e rusëve.
Presidenti Vladimir Putin do të marrë pjesë në festimet në gadishullin e Detit të Zi, ku do të takojë qytetarët, tha Kremlini.
Moska e aneksoi Krimenë në mars të vitit 2014 pas disa muajsh tensionesh me Kievin pas rrëzimit të një udhëheqësi pro-rus. Rusia tha se po ndreqte një gabim historic të udhëheqësit sovjetik Nikita Hrushov, që e kishte transferuar Krimenë nën kontrollin e Ukrainës në vitin 1954.
Por veprimi u kundërshtua nga Kievi dhe Perëndimi dhe mbështetja e Moskës për forcat separatiste në lindjen e Ukrainës, ka bërë që Rusisë t’i vendosen gjithnjë e më shumë sanksione.
Në Rusi, 18 marsi zyrtarisht është shpallur “Dita e Bashkimit të Krimesë me Rusinë” dhe festohet në të gjithë vendin.
Autoritetet e qytetit në Moskë organizuan një festival rruge të quajtur “Pranvera e Krimesë”, ku pati një koncert me muzikë xhaz dhe një ekspozitë fotografike.
Putin nënshkroi një marrëveshje më 18 mars 2014 me përfaqësuesit lokalë për ta bërë Krimenë pjesë të Rusisë, dy ditë pas një referendumi të konsideruar nga Kievi dhe Perëndimi si i paligjshëm.
Mediat pro-Kremlinit i vlerësuan ngjarjet e vitit 2014 si “rivendosje të drejtësisë historike” dhe thanë se gadishulli po lulëzon nën sundimin rus. ” Krimeja është pjesë e Rusisë dhe do të jetë përgjithmonë”, shkroi Valentina Matviyenko, kryetarja e dhomës së lartë të parlamentit të Rusisë, për gazetën Izvestia.
Shtypi liberal i Rusisë “pikturoi” një pamje më të zymtë për përvjetorin, duke thënë se aneksimi i gadishullit i bëri rusët të varfër dhe më të izoluar nga bota. “Për një pjesë të Rusisë, ngjarjet ishin një katastrofë morale,” thuhej në gazetën liberale Novaya Gazeta.
Ndërkohë, javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Bashkimi Europian vendosën sanksione të reja mbi disa zyrtarë dhe biznese ruse në përgjigje të “agresionit të vazhdueshëm të Moskës në Ukrainë”.
Ministri i jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin tha se lëvizja e Rusisë u la në harresë. “Nën pushtimin rus Krimeaja nuk po shkon askund, nuk ka të ardhme”, tha ai.
“Krimeja iu mor njerëzve të vet, atdheu i tyre u mor me vete”, tha Klimkin. Ukraina “ndjen dhimbje për këtë çdo ditë”.