MENU
klinika

Kosovarët me emrat-qytete shqiptare

Alban Muja: Arti shprehet këtu

14.03.2019 - 13:21

Alban Muja njihet si artist që udhëton shumë. Është pjesë e rezidencave të ndryshme, e veprat e tij kanë shëtitur në shumë vende. Por pavarësisht të gjithave, temat me të cilat merret kanë burim shoqërinë kosovare.

Një projekt i tij që ka filluar para më shumë se një dekade, sa u përket emrave të njerëzve dhe historisë që fshihet pas tyre, tashmë i ka kaluar kufijtë. Në një takim të Mujës me të interesuarit rreth veprave të tij, të organizuar e të mbajtur në Aleancën Franceze në Prishtinë të martën mbrëma në kuadër të “Javëve të frankofonisë”, artisti konceptual ka rrëfyer për veprat e tij.

Duket se me një rrëfim familjar do ta përfaqësojë Kosovën edhe në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Por për këtë ka folur krejt shkurt.

“Ne mund të udhëtojmë shumë, si në Paris e Berlin, por në fund duhet të kthehemi e të reagojmë këtu”, ka thënë Muja duke aluduar se artistët nëpërmjet veprave të tyre duhet të reagojnë për problemet vendore. Takimi me Mujën është organizuar pas rezidencës tremujore të tij në “Arts Cité” në Paris vitin e kaluar. Muja e ka filluar takimin me rrëfimin e tij për rezidencën.

Ka thënë se atje kanë qenë rreth 300 artistë të vendeve të ndryshme. Ka thënë se ish-Jugosllavia kishte gjashtë studio të saj në “Arts Cité”, por Kosova nuk ka trashëguar asnjë për dallim prej vendeve të tjera që i kanë takuar ish-Federatës. Këtë çështje e ka ngritur edhe në Paris.

“Do të ishte mirë që të paktën çdo vit të dërgohej një artist nga Kosova në këtë rezidencë”, ka thënë ai. Gjatë kohës së qëndrimit në Paris, Muja ka vazhduar hulumtimet në një projekt që ka nisur para më shumë se një dekade. Nëpërmjet “Naming” (Emërimet) ai ka shpalosur rrëfime të emrave si “Siria” e “Tibet” qysh në vitin 2005.

Për historinë e këtyre emrave dhe atë se si ndihen ata që i bartin ata, janë shpalosur në vende të ndryshme nëpërmjet videove të Mujës. “My name their city”, (Emri im, qyteti i tyre) shpalos personazhe që bartin emrat e qyteteve shqiptare. “Nga viti 1981 deri më 1989 janë diku rreth 30 mijë emra të qyteteve të Shqipërisë që i bartin njerëzit në Kosovë”, ka thënë ai, bazuar në të dhënat e komunave të Kosovës.