Në krah të trajnerit Christian Panucci në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Turqisë, ishte edhe Elseid Hysaj, kësaj radhe në rolin e kapitenit.
Është hera e parë që në stadiumin e Shkodrës ai do të mbajë shiritin, por Hysaj është tashmë mjaft i pjekur dhe nuk ka emocione, madje thotë se do të luante edhe në ndonjë rol tjetër.
Si do t’i përballoni sulmuesit turq?
“Sulmuesit që ka Turqia i kemi takuar dhe në Serie A dhe aty kemi të bëjmë në çdo ndeshje me lojtar të tillë dhe jemi përgatitur të mbrojmë mirë ndaj Turqisë.”
Çfarë i mungon kombëtares?
“Grupi që kemi tani është fantastik. Njihemi mirë me njëri-tjetrin. Kemi marrë leksione për gabimet që kemi bërë. Shpresoj të vazhdojmë nga ndeshja e fundit që e lamë me fitore.”
Keni folur me Strakoshën?
“Jam i lumtur që do të luaj në shtëpinë time si kapiten. Për Strakoshën nuk vendosim ne. Kush gabon, duhet të paguajë gabimin. I kamë thënë të rri i qetë dhe të vë mend për herët e tjera. Shpresoj ta kuptoj gabimin sa më shpejt.”
Si është të jesh kapiten në qytetin tënd?
“Është ndjesi shumë e mirë. Nëse është nevoja të bëj edhe një rol tjetër, do ta bëj me gjithë maksimumin tim.”