MENU
klinika

"Blindohet" Roma

Tapet të kuq për Xi Jinping/ Italia mirëpret presidentin kinez

22.03.2019 - 13:15

Presidenti kinez Xi Jinping është në Romë ku ai pritet të nënshkruajë një marrëveshje që do ta bënte Italinë ekonominë më të madhe deri më tani që mbështet projektin masiv të infrastrukturës së Pekinit, të njohur si “Rruga e re e mëndafshit”.

Vizita është e para nga një president kinez në Itali në 10 vjet dhe qeveria italiane ka shtruar qilimin e kuq siç bëri për presidentin amerikan Donald Trump në 2017.

Pjesa më e madhe e qendrës historike të Romës do të konsiderohet një “zonë e kuqe”, një zonë e siguruar mirë ku lëvizjet e banorëve të qytetit do të jenë të kufizuara, për të lejuar lëvizjen e delegacionit që shoqëron Presidentin.

Kryeqyteti është blinduar nga masat e sigurisë së lartë, me mbi 3500 forca policore në terren, për të garantuar vizitën tre ditore të Presidentit kinez Xi Jinping në Itali. 

Vizita private e muzeve historike dhe monumenteve të tjera turistike janë organizuar për Xi dhe gruan e tij, Peng Liyuan.

Këngëtari i operës Andrea Bocelli do të interpretojë për çiftin në një darkë shtetërore të organizuar nga Presidenti italian Sergio Mattarella në Pallatin Presidencial, një ish-rezidencë e Papëve.

Marrëveshja që do të nënshkruajnë do të bëjë që Pekini të investojë në portet italiane ku mallrat kineze do të importohen në Evropë. Disa mallra gjithashtu do të prodhohen në Itali për të përmbushur standardet e BE-së dhe të transportohen nëpër hekurudha në vendet e tjera të BE.

Roma, në këmbim, do të përfitojë investime financiare dhe hapjen e tregjeve për prodhimet italiane në Kinë. Një marrëveshje tjetër e mundshme do të ishte kompania kineze e teknologjisë Huawei që operon rrjetet superfast 5G në Itali.

Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar paralajmëruan vendet evropiane se përdorimi i teknologjisë nga Huawei mund të dëmtonte marrëdhëniet e tyre me Uashingtonin.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara kanë detyrimin të paralajmërojnë qeveritë e tjera ndaj rreziqeve të ndërtimit të rrjeteve me pajisje nga gjigandi kinez i telekomunikimeve.

Marrëveshja që Kina dhe Italia pritet të nënshkruajnë, gjithashtu është kritikuar nga disa brenda qeverisë italiane të koalicionit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN