Kampionati italian vijon të ofrojë një garë mjaft interesante për dy vende në zonën Champions, ku luftojnë 6 skuadra.
Inter dhe Roma u ndalën në barazim 1-1 në “Giusepe Meazza”, me zikaltrit që humbën një rast të mirë për tu shkëputur ndjeshëm nga rivalët.
Spalletti kishte vendosur të lërë në stoli Icardin dhe të hedhë nga minuta e parë argjentinasin tjetër, Lautaro Martinez, ndërsa pjesa e parë ishte e balancuar në lojë, por u mbyll me avantazhin e Romës, pas njësuper goli nga El Sharawy nga distanca.
Pjesa e dytë foli për skuadrën zikaltër, që spostoi lojën në gjysmëfushën e Romës, ndërsa Spalletti shtoi forcat në sulm, duke hedhur në fushë edhe Icardin, në vendin e Radja Nainggolan.
Në minutën e 61-të, Danilo D’Ambrosio dha një kros perfekt me të majtën në shtyllën e dytë dhe aty Perisiç përfitoi që mbrojtja e Romës ishte e zënë me Icardin, për të gjuajtur me kokë dhe mposhtur portierin Mirante.
Në minutat në vijim ishte sërish Interi që dominoi lojën, duke i shkuar disa herë pranë golit, ndërsa Roma u mbrojt me forca të shumta dhe kërcënoi në 2-3 raste me anë të kundërsulmeve të shpejta.
Në fund të dy skuadrat u detyruan të pranojnë nga një pikë, ku natyrisht që më të kënaqur janë zikaltrit e Spallettit, që ruajnë diferencën nga ndjekësit, ndërsa Roma duhet të luftojë ende për një vend në Champions league.