MENU
klinika

Furnizimet e mallrave dhe shërbimeve

Transferimet e pronësisë, DPT me njoftim të rëndësishëm

09.04.2019 - 13:34

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi disa pika kyçe për të vënë në dijeni qytetarët në lidhje më furnizimet e mallrave dhe shërbimeve.

Referuar ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me furnizim malli kuptohet transferimi i së drejtës për të disponuar si pronar një mall të trupëzuar. Sipas DPT, mallrat e patrupëzuara përjashtohen nga ky përcaktim dhe për qëllime të TVSH-së konsiderohen si furnizim shërbimi.

Në lidhje me transferimet e pronësisë, DPT përcakton rastet më poshtë:

– Pasuria e trupëzuar është pasuria e luajtshme ose e paluajtshme. Transferimi i së drejtës për të gëzuar dhe disponuar lirisht një mall, përbën transferimin e pronësisë, sipas së Drejtës Civile në Republikën e Shqipërisë. Rasti me i përgjithshëm i transferimit të pronësisë së mallit si një mall i trupëzuar është shitja e tij.

-Nga ana tjetër, transaksionet që kanë të bëjnë me transferimin e pronësisë së mallrave të luajtshme të patrupëzuara (transferimet e të drejtave, licencave, markave të prodhimit, etj.) konsiderohen si furnizim shërbimi.

DPT tha se mallra të trupëzuara të luajtshme janë edhe energjia elektrike, gazi, energjia për ngrohje ose ftohje, dhe uji, si i ngjashëm me këto mallra për nga mënyra e disponimit ose shpërndarjes. Si furnizim malli, konsiderohet dorëzimi i mallrave në bazë të një kontrate, ku parashikohet shitja me këste e mallit, kalimi i pronësisë i të cilit bëhet me pagesën e këstit të fundit.

Sipas DPT, kjo dispozitë gjen zbatim në rastet e kontratave të shitjeve me këste ku transferimi i pronësisë parashikohet deri në pagesën e plotë të çmimit dhe të gjitha kontratave të shitjes që përmbajnë klauzolën e shitjes me rezervë të pronësisë e që kanë të njëjtin efekt.

Kështu edhe pse pronësia e mallit në një shitje me këste fitohet normalisht nga disponuesi apo ata që gëzojnë të drejtën, jo më vonë se pagesa e këstit të fundit, furnizimi i mallit kryhet kur bëhet dorëzimi i mallit dhe jo sipas kësteve të pagesës dhe pavarësisht kalimit të pronësisë.

DPT tha se si furnizim malli konsiderohet gjithashtu furnizimi i pasurisë së trupëzuar si:

– Të drejtat mbi pasurinë e paluajtshme, të cilat i japin mbajtësit të drejtën për ta shfrytëzuar pasurinë, përveç qiradhënies që është furnizim shërbimi;

-Të drejtat reale të cilat i japin atij që i gëzon, të drejtën e përdorimit mbi pasurinë e paluajtshme;

– Të drejtat (aksione, interesa ose të ngjashme) që i japin mbajtësit të tyre juridikisht ose faktikisht, të drejtën e pronësisë ose të posedimit të pasurisë së paluajtshme ose të një pjese të saj.

Për sa i përket furnizimit të shërbimit, sipas ligjit Nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, TVSH zbatohet mbi furnizimet e shërbimit që kryhen kundrejt pagesës nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë.

Sipas njoftimit, me furnizime shërbimi kuptohen ato furnizime që nuk konsiderohen si furnizime mallrash. Të tilla furnizime shërbimesh janë:

– transferimet (shitjet),

-koncesionet e mallrave të patrupëzuara (jo materiale);

-qira-dhënia e mallrave të trupëzuara dhe të patrupëzuara;

– qira-dhënia e mallrave të paluajtshme;

– transportet dhe shërbimet dytësore;

-punimet në pasuritë e paluajtshme, kryerja e procesit të ndërtimit, mirëmbajtjes,

– kryerja e operacioneve të realizuara nga ndërmjetës që veprojnë në emër dhe për llogari të dikujt tjetër;

-punimet studimore, kërkimore dhe të ekspertizës.

DPT tha se në mënyrë të përgjithshme, furnizime shërbimi është edhe kryerja e të gjitha operacioneve që lidhen me kontratat me anë të së cilave një person angazhohet të kryejë me anë të një pagese të përcaktuar apo shkëmbimi me një mall ose shërbim tjetër një punë çfarëdo, rastet si më poshtë:

-Operacionet e ndërhyrjes që kryhen nga përfaqësuesit apo nga shoqëritë përfaqësuese që marrin komision për ndërhyrjet e tyre në operacionet e importeve

-Operacionet, përfshirë negocimin, në lidhje me valutat, kartëmonedhat bankare dhe monedhat që janë mjete pagese të ligjshme, me përjashtim të monedhave dhe kartëmonedhave të koleksionit

-Operacionet që lidhen me aksionet, pjesëmarrjet e shoqërisë, obligacionet dhe titujt e tjerë, me përjashtim të titujve përfaqësues të mallrave dhe kuotat e interesit, posedimi i të cilave siguron sipas të drejtës apo faktit dhënien e pronësisë apo gëzimin e një malli të paluajtshëm, ose një pjese të një malli të paluajtshëm, etj.

Sipas DPT, furnizim shërbimi konsiderohen gjithashtu edhe punimet e ndërtimit dhe të mirëmbajtjes që kryhen gjatë procesit të ndërtimit.