Rezultatet aspak të mira kohët e fundit nuk janë i vetmi shqetësim tek Milani.
Kriza e Kuqezinjve në kampionat ka tërbuar drejtuesit kuqezi, ndaj ata kanë vendosur të kenë ‘dorë të hekurt’ mbi lojtarët.
Paraditen e sotme, mesfushori Bakayoko u paraqit në stërvitje me rreth një orë vonesë dhe kjo gjë e nervozoi së tepërmi trajnerin Gattuso, i cili vendosi të grumbullojë skuadrën për 5 ditë, deri në sfidën me Bolognën të dielën.
Francezi u justifikua se e kishte lënë benzina në rrugë, ndaj nuk ishte paraqitur në orar, por kjo nuk e ka shpëtuar nga një gjobë prej plot 90 mijë eurosh nga klubi.
Ndërkohë, disa liderë të klubit u përpoqën t’i ndryshojnë mendjen Gattusos për grumbullimin, por nuk ia dolën dhe tashmë do të duhet të mbeten të izoluar deri të dielën kur të përfundojë ndeshja me Bolognën.
Sfida ndaj emilianëve do të jetë mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë ndërsa një ‘hap fals’ do të shuante komplet shpresat e ‘Djallit’ për një vend në Champions League.