MENU
klinika

Arsyet

A do të ketë sukses? Serbia me sytë nga Uashingtoni

28.06.2019 - 08:48

Pas bllokimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës politika e jashtme serbe përpiqet ta gjejë rrugëdaljen në Uashington. Edhe anulimi i samitit në Paris e ka bërë Beogradin të kthejë sytë nga SHBA.

Prej ca kohësh politikanët në Beograd japin gjithnjë e më shumë deklarata për ndikimin vendimtar të Amerikës në procesin e zgjidhjes së ҫështjes së Kosovës, gjë që bie në kundërshtim me deklaratat e mëparshme. Kur Prishtina insistonte për përfshirjen e Amerikës në procesin e Kosovës, Beogradi i refuzonte idetë e tilla, duke theksuar se në këtë rast Serbia do të kërkonte që në dialog të përfshihej edhe Rusia.

Megjithatë, sidomos pas anulimit të samitit në Paris, që në Beograd mes të tjerash shihet edhe si një humbje e Bashkimit Evropian (BE), është evidente se tani gjithnjë e më shumë shpresat varen në fuqinë politike dhe diplomatike të Amerikës.

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Dačić tha se dështimi i samitit në Paris tregoi se pa SHBA asgjë nuk mund të kryhet, dhe pak më vonë dërgoi një serë komplimetsh në adresë të administratës amerikane, duke thënë se „administrata e Trumpit ka qenë shumë korrekte përsa i përket dialogut me Prishtinën dhe se pas një kohe të gjatë nuk është paraqitur si problem, por si një faktor që ҫon përpara dialogun”.

Por ndoshta më ilustrative ishte deklarata e kryetarit të delegacionit parlamentar të Serbisë në Asamblenë e NATO-s, Dragan Shormaz, i cili theksoi se „do të kishte qenë më mirë që ҫështja e marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës të përfundohej para zgjedhjeve në SHBA vitin e ardhshëm, me ndihmën e Donald Trumpit dhe SHBA”. Shormaz theksoi më tej se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuҫiҫ po punon për përmirësimin e raporteve me SHBA dhe se rezultatet janë të dukshme.

Vazhdim i lëvizjeve të gabuara

E gjithë seria e deklaratave tregon se Serbia nuk ka një strategji të mirëmenduar në politikën e jashtme, e kjo është vetëm vazhdim i lëvizjeve të gabuara të diplomacisë serbe, si në rastin kur kreu i shtetit u përfshi në fushatën e Hillary Klintonit, vlerëson për DW Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit të Çështjeve Evropiane.

„Kjo tani më duket si një përpjekje për të qëndruar në anën e Amerikës, e cila në mënyra të ndryshme përpiqet të lajë hesapet me BE. Nga ana tjetër Amerika e ka njohur Kosovën, por nuk është edhe aq kundër idesë së rishikimit të kufijve dhe këtu ndoshta presidenti Vuҫiҫ ndoshta ka gjetur vend për bisedime. Në Serbi do të konsiderohej si humbje më e vogël, nëse do të merreshin disa territore, edhe pse të gjitha analizat tregojnë se kjo do të sillte përfitime afatshkurtra, dhe do të hapnin shumë ҫështje të tjera në afat më të gjatë, veҫanërisht kur është fjala për Bosnnjë-Hercegovinën”, paralajmëron Beshiri.

Kosova – si një kartë për t‘i bërë presion BE

Unë dyshoj që Amerika të ketë ndonjë plan konkret për Kosovën, thotë për DW komentuesi i ҫështjeve të politikës së jashtme, Boshko Jakshiҫ, dhe shton: „Dështimi i BE për të bërë hapa përpara në dialog ka hapur ҫështjen e zmadhimit të rolit të SHBA. Ashtu si presidenti amerikan u bëri thirrje presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës që të mos e humbasin shansin historik, tani edhe Departamenti i Shtetit i ofron ndihmë Brukselit të dobësuar, por thonë pa patur qëllim që të shtyjnë mënjanë evropianët. Akoma nuk e dimë se cila është përmbajtja e këtij shansi historik, ka mundësi që të mos e dinë as amerikanët – por e qartë është se Uashingtoni mund ta përdorë Kosovën për të vazhduar presionin ndaj aleatëve evropianë, për ta kuptuar përfundimisht se kush është i zoti i shtëpisë”, thotë Jakshiҫ.

Serbia pa veprime serioze

Nga ana tjetër, nëse shikoni faqet kryesore të mediave pranë pushtetit, Amerika vazhdon të jetë armiku numër një i Serbisë dhe këtë moment e thekson për DW edhe Naim Leo Beshiri. Kjo, sipas fjalëve të tij, nuk i shërben vullnetit të deklaruar publikisht nga Serbia, për të përmirësuar marrëdhëniet me Amerikën:

„Aktualisht në administratën amerikane ka një të ashtuquajtur garniturë antiestablishment, e cila i trajton në një mënyrë disi më të lehtë marrëdhëniet ndërkombëtare, gjë që në një farë mënyre është më pranë mentalitetit këtu dhe si Serbia i sheh këto marrëdhënie, kështu që në këtë moment është një klimë e favorshme, që Serbia të gjejë bashkëbisedues në Uashington. Por unë në fakt nuk shoh asnjë fushatë serioze, apo aktivitet të Serbisë në Uashington, që mund të sillte një pozitë më të mirë të Serbisë, kur është fjala për Kosovën”, vëren Beshiri.

Treffen UN-Sicherheitsrat | Präsident von Serbien Aleksandar Vucic (picture-alliance/dpa/C. Ruttle)Vuçiç para KS të OKB

Beogradi dhe Prishtina janë momentalisht në të njëjtën sintoni, sepse Serbia dhe Kosova mendojnë se roli i Amerikës do të jetë kyҫ për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Kjo mund të nënkuptojë që të dyja palët nuk besojnë në fuqinë e Bashkimit Evropian për ta ҫuar deri në fund këtë proces, dhe po krijohet përshtypja se Uashingtoni po shihet gjithnjë e më shumë si negociator kryesor apo si partner në këto bisedime në vend të Brukselit. Boshko Jakshiҫ mendon se kjo është dukja në vështrim të parë, por se Beogradi në këtë kontekst kalon pa parë disa gjëra shumë të rëndësishme, para së gjithash që Uashingtoni natyrisht nuk do të heqë dorë nga pavarësia e Kosovës:

„Le të mos harrojmë se Uashingtoni prej kohësh përsërit të njëjtën mantër, që njohja reciproke është mënyra më efikase dhe më e shpejtë për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nëse Beogradi është i gatshëm të dëgjojë Uashingtonin, atëherë kjo mund të nënkuptonte që Beogradi i afrohet ndonjë varianti konsensi për pavarësinë e Kosovës”, thotë Jakshiҫ.

Kosova nuk është prioritet

Përpjekjen e Beogradit që në bashkëpunim me Uashingtonin të përshpejtohet procesi për Kosovën, apo që ai të përfundojë disi deri në fund të mandatit të parë të Trumpit, Naim Leo Beširi e sheh si një iluzion të zakonshëm.

„Mund të themi se kjo mund të ndodhë, nëse presidenti Trump e ka vënë Kosovën lart në agjendën e tij, por kjo momentalisht nuk është absolutisht e vërtetë dhe nuk ekzistojnë as shenjat, që do të jetë. Nëse Trump fiton mandatin e dytë, ekziston mundësia që Amerika të merret më shumë me rajonin.

Por këtu dua të them për të gjithë Ballkanin, sepse Amerika nuk është e interesuar veҫanërisht për Serbinë apo për vende të tjera të rajonit, por Ballkanin ata e shohin si të tërë. Dhe kjo përsëri mund të nënkuptojë që Amerika të heqë dorë nga ideja e rishikimit të kufijve, sepse ajo është e keqe për të gjithë rajonin”, vlerëson Beshiri.

Zgjidhja në kohën e Trumpit

Nxitimi, që është i dukshëm në Beograd dhe theksi në rolin amerikan për Kosovën, interpretohet si frikë nga kthimi i administratës demokrate në Uashington. Serbia vlerëson, dhe për këtë ka folur edhe ministri Daҫiҫ, se fitorja e kandidatit të demokratëve do të ishte një lajm shumë i keq për Serbinë dhe praktikisht kthim i administratës së Klintonit. Prandaj edhe retorika në Serbi është kthyer në periudhën pas fitores së Donald Trumpit, kur ka patur shpresa të mëdha dhe është pritur një mirëkuptim më i mirë nga administrata e re amerikane. Prandaj edhe Boshko Jakshiҫ paralajmëron se edhe këtë herë ҫdo gjë mund të përfundojë si në fillimin e mandatit të Trumpit, kur kemi parë tituj ‘Trump, o serb!’.

„Ne priremi të jemi euforikë, por postulatet bazë të politikës amerikane megjithatë nuk do të ndryshojnë. E qartë është se do të vazhdohet me presione të mëtejshme ndaj Serbisë, në mënyrë që të pajtohet me disa zgjidhje, të cilat edhe sot e kësaj dite zyrtarisht i refuzon”, përfundon Jakshiҫ./ DW

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat