MENU
klinika

Sekretari i NATO-s

“Nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut përfitojmë të gjithë”

03.06.2019 - 15:45

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Shkup ka deklaruar se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ka rëndësi jo vetëm për këtë vend, por edhe për rajonin dhe vetë Aleancën Veri Atlantike.

Kjo vizitë  shënon edhe mbledhjen e parë të Këshillit Veri-Atlantik me Komitetin për integrim të Maqedonisë së Veriut, që kur vendi ka nënshkruar protokollin për anëtarësim në Aleancë.

Stoltenberg ka thënë se Aleanca është e gatshme t’i urojë mirëseardhjen Maqedonisë së Veriut, por e ka rikujtuar edhe me nevojën e përmbushjes së reformave të nevojshme.

“Jemi të gatshëm t’ju urojmë mirëseardhjen në familjen e NATO-s. Me kryeministrin grek Tsipras treguat guxim dhe përkushtim në zgjidhjen e kontestit dhe tani ju krijoni të ardhme më të mirë për vendin. Por, 29 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollin për anëtarësim jo vetëm për shkak të Marrëveshjes së Prespës, por edhe për reformat që keni realizuar si shtet….Zëri juaj do të jetë i rëndësishëm për vendimet dhe që të kujdeseni për sigurinë e vendit tuaj”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ndërkohë ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për të zbatuar të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i anëtarësimit të vendit në NATO, duke përmendur në këtë rast zgjidhjen e kontesteve me shteteve fqinje.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut arriti të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dypalëshe dhe të bëjë përparim konkret demokratik në shoqëri. Vendin e kthyem në rrugën e vërtetë, në veçanti sa i përket sundimit të ligjit dhe në ndërtimin e institucioneve forta dhe funksionale. Kemi bërë hapa konkret në reformimin e agjencive të zbulimit dhe të shërbimeve të sigurisë”, ka deklaruar kryeministri Zaev, duke theksuar edhe njëherë besimin se të gjitha parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s do të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit.

Zaev u shpreh se pas kësaj dhe marrjes së raportit pozitiv nga Komisioni Evropian, pret që Këshilli i Ministrave të caktojë edhe datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim e vendit në Bashkimin Evropian.

Nga 29 shtete anëtare të Aleancës deri më tani protokollin për anëtarësimin e kanë nënshkruar 13 shtete. Nga Qeveria kanë thënë se presin që ky dokument të nënshkruhet brenda një viti nga të gjitha shtetet, që përfundimisht Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO për shumë vite ishte bllokuar nga Greqia për shkak të moszgjidhjes së konfliktit lidhur me emrin.