MENU
klinika

'Mollë sherri' për koalicionin

Emigrantët po shkaktojnë një krizë në Itali?

08.07.2019 - 14:49

Kriza e emigracionit po vë përballë një prove të vështirë koaliconin qeverisës italian.

Fluksi i emigrantëve që përmes Mesdheut tentojnë çdo ditë të mbërrijnë në brigjet italiane është një nga pikat më kritike të politikës së qeverisë Conte.

Ministri i Brendshëm, njëherësh zëvendëskryeministër, Matteo Slavini, vazhdon të ndjekë politikën e hekurt të porteve të mbyllura, duke i kërkuar Bashkimit Europian të marrë përgjegjësi për administrimin dhe shpërndarjen e drejtë e të barabartë të emigrantëve në vendet anëtare.

Ministri Salvini drejton gishtin tek marina ushtarake italiane: “E gjitha kjo mund të ishte evituar”, thotë ai.

“E kisha parashikuar se pa operacioni Sophia, në det do të ktheheshin anijet e OJQ.”

Operacioni europian “Sophia” i drejtuar nga marina ushtarake italiane që patrullonte në Mesdhe, u ndërpre pak muaj më parë me kërkesë të qeverisë italiane.

Por ndaj akuzave të ministrit Salvini ka ardhur sot përgjigjja e Ministres italiane të Mbrojtjes, Elisabetta Trenta, e cila në një intervistë për të përditshmen “Corriere della Sera” shprehet se “është e çuditshme që ministri Salvini ankohet sot për marinën ushtarake italiane, kur ne si Ministri e Mbrojtjes i kemi kërkuar ta mbështesim në përballimin e këtij problemi, por që ai nuk ka pranuar.”

“Fakt mbetet, deklaron ajo, se situata është përkeqësuar shumë. Së bashku me shtabin e përgjithshëm të ushtrisë po përgatitemi për çdo skenar të mundshëm e qe të mos gjëndemi të papërgatitur. Ndërkohë janë 4 anije ushtrake italiane që vazhdojnë patrullimin pranë brigjeve libiane.”

Nga Ministria e Brendshme  italiane dalin të dhënat zyrtare mbi numrin e mbërritjes së emigrantëve nga 1 janari 2019 deri më 5 korrik 2017.

Sipas tyre në Itali kanë zbarkuar 2869 emigrantë, shumica e të cilëve nga Tunizia, Pakistani, Irak, Bregu i Fildishtë etj.