Tregu i transportit ajror të pasagjerëve e mbylli me rritje gjysmën e parë të vitit.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në gjashtë muaj numri i udhëtarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ishte më shumë se 1.4 milionë.
Krahasuar me 6-mujorin e vitit të kaluar, numri i pasagjerëve është rritur me 11%. Vetëm për qershorin, nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit u regjistruan 311 mijë udhëtarë.
Tregu i transportit ajror po përmirësohet për të tetin vit radhazi, i shtyrë nga rritja e vazhdueshme e turizmit hyrës dhe dalës nga Shqipëria.
Për gjashtë muajt e parë të këtij viti, u regjistruan 2.1 milionë hyrje të shtetasve të huaj dhe 2.7 milionë dalje të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.
Në aeroportin e Tiranës veprojnë aktualisht 21 kompani ajrore, që për gjysmën e parë të këtij viti kryen pothuajse 13 mijë fluturime, shkruan scan.
Megjithatë, potencialet e rritjes së tregut janë edhe më të mëdha, por çmimet e larta të biletave nuk lejojnë shfrytëzimin e plotë të këtyre potencialeve.
Shumë shqiptarë zgjedhin aeroportet e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për të fluturuar drejt Europës.
Ndërkohë, këtë vit po vërehet edhe një përmirësim në tregun e transportit detar të udhëtarëve, që vitin e kaluar ishte në rënie.
Për 6-mujorin e parë 2019, numri i pasagjerëve në transportin detar arriti në 483 mijë, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë.