MENU
klinika

New York Times

Si Macron ia doli të shkëlqente në samitin e G7

29.08.2019 - 17:45

Presidenti Emmanuel Macron i Francës dukej se ishte kudo në të njëjtën kohë gjatë Samitit të G7. Për një fundjavë, të paktën, Perëndimi u duk se kishte një person që drejtonte shfaqjen, dhe nuk ishte presidenti amerikan.

Macron nuk humbi asnjë mundësi për të luajtur në mënyrë perfekte rolin e tij si mikpritës i samitit në qytetin jugor turistik të Biarritz.

Me Trump që e izolon Amerikën, për të mos u marrë me çështje madhore globale, dhe kancelaren Angela Merkel të Gjermanisë që po largohet, Macron është bërë kampion kryesor për unitetin dhe multilateralizmin evropian.

Ai iu tha gazetarëve se samiti ishte një mënyrë për të demonstruar se “projekti i civilizimit evropian” ishte një “përgjigje” në një botë që kërkonte “stabilitetin global”.

“Nëse ne nuk mund të ripërcaktojmë kushtet e sovranitetit tonë, ne nuk mund ta mbrojmë projektin tonë,” u tha Macron para gazetarëve para se të nisej për në Biarritz. “Njeriu është në zemër të projektit,” tha ai, duke shtuar se “marrëdhënia me dinjitetin e njeriut, me humanizmin” ishte “themeli i civilizimit evropian”.

Në kontekstin e diplomacisë globale, kjo do të thotë të shmangësh kërcënimet, ngacmimet dhe poshtërimet Trump në favor të diplomacisë shumëpalëshe dhe një refuzim për të demonizuar kundërshtarët.

Sidoqoftë, jo të gjithë ishin aq të dashuruar me rolin e tij. Në fillim të fundjavës, ndihmësit e Trump u ankuan se axhenda që Macron vendosi u përqëndrua më shumë në ato që ata i quajtën “çështje të ngrohta” si ndryshimi i klimës sesa në sfidat globale ekonomike.

Macron e bëri Trump të binte dakord, në parim, për një takim të mundshëm me Presidentin Hassan Rouhani të Iranit. Një takim i tillë do të ishte i pari midis liderëve amerikanë dhe iranianë që nga kriza e pengjeve të Teheranit të viteve 1979-81. “Është fillimi i diçkaje,” tha Macron.

Macron shfaqi gjithnjë respekt, duke frenuar ashpër tendencën e tij për shpjegime abstrakte të gjata që mund të kenë irrituar Trump. Madje ai lavdëroi një udhëheqës që është tallur hapur nga një numër i madh i homologëve të tij.

“Ne kemi punuar shumë ngushtë, me shumë energji, me Presidentin Trump këto ditë,” tha Macron në konferencën për shtyp. “Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në muajt e ardhshëm. Ne do të jemi krah për krah në të gjitha këto luftime. ”

Ndoshta ai ia doli, nisur nga reagimet positive të Trump. “Ne patëm një drekë që zgjati për një kohë të gjatë, vetëm ne të dy,” tha Trump. “Ishte koha më e mirë që kemi patur ndonjëherë. Ne nuk po përpiqeshim ti bënim përshtypje askujt, vetëm njëri-tjetrit. “