Botërori i Atletikës ka dhuruar të tjera medalje. Padyshim vëmendja më e madhe e ditës së dytë ishte te finalja e garës së 100 metra për meshkuj ku triumfoi Christian Coleman. Amerikani që konsiderohet si pasuesi i Usain Bolt, e përshkoi këtë distancë për 9.76 sekonda duke lënë në vendin e dytë Justin Gatlin, ndërsa në të tretin Andre de Grasse.
Në kërcimin së gjati për meshkuj, medalja e artë i shkoi xhamajkanit Tajay Gayle, me 8.69 m, që la pas amerikanin, Jeff Henderson, me 8.39 m, dhe kubanezin Echevarria me 8.34 m.
Në 10 000 m për femra, titulli i kampiones së botës i shkoi atletes holandeze, Sifan Hassan, me kohën 30 minuta 17 sekonda e 62 të qintat duke lënë pas etiopianien Gidey në vendin e dytë dhe kenianen tirop në të tretin.
Dita e dytë u mbyll me garat e 50 km ecje sportive për femra dhe meshkuj. Në kategorinë e femrave medaljen e artë e fitoi kinezja Liang me 4 orë 23 minuta e 26 sekonda. Në vendin e dytë u pozicionua një tjetër atlete kineze, Maocuo Li, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi italiania Giorgi.
Ndërsa për meshkuj, medalja e artë në këtë disiplinë sportive u fitua nga japonezi Yusuke Suzuki me 4 orë 4 minuta e 20 sekonda duke lënë në vendin e dytë Joao Vieira dhe Evan Dunfee në të tretin.
Pas dy ditëve të para, tabelën e medaljeve të Botërorit e kryeson SHBA me 2 medalje ari e 2 argjendi e ndjekur nga Kina me 1 medalje ari, 1 të argjendtë e 1 të bronztë dhe Kenia me 1 medalje të artë e 1 të bronztë.