Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar se vendi i tij mund të ndihmojë në mbrojtjen e kufijve të Italisë si pjesë e përpjekjeve për të luftuar migracionin e parregullt, transmeton AA.
“Nëse është e nevojshme, mund të mbrojmë disa zona të kufirit të Italisë’, tha Orban në kongresin e partisë së tij Fidesz.
“Keni lejuar hyrjen e migrantëve të parregullt, por ende mund të merrni përsipër të transportoni një numër të konsiderueshëm të migrantëve të parregullt nga Italia në vendet e tyre të lindjes”, shtoi ai.
Duke thënë se vendet e Evropës Qendrore po mbrojnë kufijtë e jashtëm të Evropës, Orban akuzoi kryeministrin italian, Giuseppe Conte, se ka një politikë të dobët të imigracionit.
Me mbështetjen e partnerëve të saj në Grupin e Vishegradit, Çekisë, Polonisë dhe Sllovakisë, Hungaria ka forcuar trupat dhe policinë në kufijtë e saj, si pjesë e masave kundër migrantëve të parregullt.
Hungaria ngriti gardh me tela përgjatë kufijve të saj me Serbinë dhe Kroacinë për të ndaluar fluksin e parregullt të migrantëve, shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në zonat kufitare dhe shtrëngoi dënimet për kalimet e paligjshme.
Një ligj i miratuar në parlament po ashtu kërkon që migrantët e parregullt, përfshirë fëmijët, të mbahen në kampe kufitare gjatë kërkesës së tyre për azil.