Volodymyr Zelensky, ish-aktori popullor, i zgjedhur në muajin prill president i Ukrainë, ka shënuar një rekord duke mbajtur një konferencë shtypi që zgjati më shumë se nëntë orë, më e gjata në histori, sipas Agjencisë Kombëtare ukrainase të rekordeve.
Rreth tetë orë pas fillimit të konferencës së shtypit, që u mbajt në një sallë konferncash në qendër të Kievit, një përfaqësues i agjencisë u ngrit për të njoftuar rekordin.
Presidenti, Zelensky reagoi duke manifestuar befasinë e tij dhe duke konfirmuar se ishte një person modest dhe se i urrente festimet.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga presidenti bjellorus, Alexandre Lukashenko, me një konferencë shtypi që zgjati më shumë se shtatë orë, sipas medias ukrainase.
Disa qindra gazetarë ukrainas dhe të huaj iu afruan Zelenskyt rreth një tryeze.
Presidenti ukrainas diskutoi për disa çështje të rëndësishme si konflikti në lindje të Ukrainës, marrëdhëniet me Rusinë apo bisedën e tij telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, zbulimi i të cilit ka bërë që ky i fundit të jetë nën kërcënimin e shkarkimit të ndërmarrë nga demokratët.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se nuk i ishte bërë “shantazh” në telefonatën e korrikut me Presidentin amerikan Donald Trump që është në qendër të një hetimi për procedurën e shkarkimit, ndërmarrë nga Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët. Zelenskiy u tha gazetarëve se nuk ishte në dijeni në kohën e telefonatës se Trump kishte ndërmarrë hapa për të bllokuar dhënien qindra milionë dollarëve në ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Presidenti Trump thotë se e mori vendimin për të nxitur Ukrainën që të luftonte korrupsionin. Demokratët akuzojnë udhëheqësin amerikan se ngriu ndihmën për t’i bërë presion administratës së zotit Zelenskiy për të hetuar kandidatin demokrat presidencial, Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.
Tre komisionet kryesore të Dhomës së Përfaqësuesve që po kryejnë hetime për procedurën e shkarkimit, bënë publike një sërë mesazhesh telefonike që ua kishte vënë në dispozicion ish-i dërguari i posaçëm amerikan në Ukrainë, Kurt Volker, përfshirë një që Volker ia kishte dërguar këshilltarit të Presidentit Zelenskiy, Andrey Yermak ku thuhej “Do të përcaktojmë një datë për një vizitë në Uashington” nëse Zelenskiy “e bind presidentin Trump se do të bëjë hetim.”
Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë gabim dhe e ka përshkruar telefonatën si “të përkryer”.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se refuzon të marrë pjesë në hetimin e drejtuar nga demokratët për të përcaktuar nëse duhet të hapet një procedure për shkarkimin e Presidentit Trump.
Shtëpia e Bardhë e quan hetimin për procedurën e shkarkimit “jokushtetues”.
Por nuk ka rregulla që të ndalojnë Dhomën e Përfaqësuesve të hetojë akuzat për aktivitet të paligjshëm të një presidenti, para se të vendosë nëse do të hedhë në votim akuza formale për shkarkim.