MENU
klinika

Editorial i The Guardian

“Sardelet” janë një mësim jo vetëm për Italinë!

28.11.2019 - 18:17

Për më shumë se një dekadë, tema mbizotëruese në politikën evropiane ka qenë shfaqja e lëvizjeve që kërkojnë të dramatizojnë dhe shfrytëzojnë ndarjet sociale.

Një nga to ishte komediani Beppe Grillo, i cili në vitin 2007 mbajti një miting të vlerësuar si “Dita e Vaffanculo”. Ajo protestë masive në Bolonjë nisi një valë populiste në Itali, duke shkuar deri tek ngritja në pushtet e politikanit Matteo Salvini.

Lëvizja “Sardelet” erdhi si përgjigje ndaj përpjekjes së Salvinit për të fituar pushtetin në Emilia-Romagna, zonën historikisht të majtë, në zgjedhjet e janarit.

Ajo që filloi si një lëvizje locale tani është bërë një fenomen kombëtar. Kudo që shkon Salvini, “Sardelet” organizojnë mbledhjet e tyre, duke mbajtur copëzat prej kartoni me simbolin e sardeleve, që është bërë marka e tyre. Mitingje të tjera janë planifikuar në Torino, Milano, Napoli, Firence dhe Romë.

A është kjo kryengritja e parë popullore kundër populizmit të djathtë? Lëvizjet vijnë dhe shkojnë, veçanërisht në epokën e mediave sociale.

Por ajo që është unike në lidhje me këtë lëvizje është mënyra me të cilën përpiqet të përcjellë mesazhin. Banderolat dhe shenjat e tjera të përkatësisë politike janë të ndaluara në mitingje. Kjo është për të nxitur një frymë gjithëpërfshirëse, por edhe për të theksuar një dimension qytetar ndaj protestave.

Një sondazh i kohëve të fundit zbuloi se shumica e të anketuarve e shikonin fuqinë e Sardeleve si një kërcënim më të madh për ambiciet e Salvinit sesa partia Demokratike ose Lëvizja Pesë Yje.

Çfarëdo që të ketë rezervuar e ardhmja, ka disa mësime që shkojnë përtej Italisë.

Nëse suksesi i Sardeleve ka nxitur një dëshirë të madhe të italianëve për të dale kundër populistëve të vendit, e njëjta me siguri mund të ndodhë diku tjetër.

Më shumë sardele janë të nevojshme për të notuar në këto valë.