Edhe pse koronavirus nuk është ndalur, qeveria amerikane pret që Kina të mbajë premtimin për të blerë mallra të importit, nën marrëveshjen tregtare të nënshkruar në muajin Janar.
Departamenti i Thesarit deklaroi se është shumë herët për të vlerësuar ndikimin e virusit tek ekonomia botërore, por skenari më i mirë tregon për një rënie të ekonomisë kineze në tremujorin e parë, ndjekur nga një rimëkëmbje e shpejtë më vonë. Ministria e Tregtisë në Kinë, deklaroi gjatë fundjavës se eksportet dhe importet për dy muajt e parë të vitit do të goditen nga epidemia, por shtoi se kompanitë e huaja do të rinisin prodhimin deri në fund të Shkurtit.
Zyrtarët e Thesarit në SHBA bënë të ditur se nuk priten ndryshime në zbatimin e marrëveshjes së fazës së parë tregtare. Sipas marrëveshjes, që u bë efektive në muajin Shkurt, Kina ka premtuar të rrisë importet e mallrave amerikane me 77 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe me 123 miliardë dollarë në vitin e ardhshëm. Ekspertët janë treguar skeptik mbi mbajtjen e këtij premtimi nga Kina, që përpara shfaqjes së koronavirusit.