MENU
klinika

Ndryshimet në ligjin “Për Taksat Kombëtare”

Merr fund pabarazia për mjetet e përdorura

18.02.2020 - 12:05

Ndryshimet në ligjin “Për Taksat Kombëtare” i japin fund një pabarazie disavjeçare ku shumë qytetarë mbeteshin nën taksën TVML (taksa vjetore e makinave luksoze), sepse ligji nuk parashikonte amortizimin e vlerës së makinës në vite.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bëri sot të ditur se “nga hyrja në fuqi në Fletoren Zyrtare, taksa TVML llogaritet mbi vlerën e amortizuar të mjetit, nga regjistrimi i fundit në sistem”.

“Tjetër zgjidhje me iniciativën e DPSHTRR–MIE! Propozuam dhe u dëgjuam për ndryshime në ligjin “Për Taksat Kombëtare” duke i dhënë fund një pabarazie disavjeçare ku shumë qytetarë mbeteshin nën taksën e TVML, sepse ligji nuk parashikonte amortizimin e vlerës së mjetit në vite”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR-së.

Më herët, për të njëjtin mjet si moshë, model, paguhej ndryshe nga kush e kishte prej vitesh brenda vendit e kush e importonte sot.

“Nga hyrja në fuqi në Fletoren Zyrtare, taksa TVML llogaritet mbi vlerën e amortizuar të mjetit, nga regjistrimi i fundit në sistem! Sistemi e DPSHTRR do të përditësohet dhe sportelet tona do të sqarojnë qytetarët për lehtësimin dhe daljen e shumë mjeteve (nën 3000 cc) nga taksa TVML”, thuhet në njoftim.

Me këto ndryshime i jepet fund edhe uljes fiktive të vlerës, sepse çdo vit vlera amortizohet progresivisht me 10% për efekt llogaritje në sistem.

Gjithashtu, DPSHTRR njofton se “në rastet e përjashtimit nga taksa TVMP (taksa vjetore e makinave të përdorura) janë përfshirë edhe “Personat me aftësi të kufizuar”, një kategori invaliditeti që nuk përfitonte deri sot.