Emergjenca e koronavirusit në Itali vazhdon të jetë shqetësuese teksa numri i personave të konstatuar të infektuar ka shkuar mbi 150 kurse numri i atyre që kanë humbur betejën është rritur në katër. Viktima e re është një burrë 84 vjeçarë nga qyteti Bergamo. Nga e shtuna në mbrëmje qeveria italiane miratoi një dekret për izolimin e vendeve prej ku shpërthyen rastet e të infektuarve. Për momentin nuk është e mundur të futesh apo dalësh në 11 komuna në rajonin Veneto dhe rreth 50 mijë banorë po mbahen të bllokuar. Zonat e izoluara po menaxhohen nga policia dhe, nëse është e nevojshme, edhe nga ushtria, me sanksione penale për ata që shkelin aktet e dekretit.
Ndërkaq Lombardia, Liguria, Emiglia Romagna, Friuli Venezia Giulia, Piemonte dhe Veneto janë në gjendje karantine ku janë pezulluare eventet publike, shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për të paktën 1 javë. Nga dje janë pezulluar edhe ndeshje të Seria A të cilat më tutje mendohet të zhvillohen pa praninë e spektatorëve.
Si masë e nevojshme parandaluese janë anuluar edhe karnavalet e famshme të Venecias dhe deri më 1 mars edhe të gjitha ngjarjet rekreative dhe sportive, të cilat përfshijnë grumbullime në vende publike ose private dhe dezinfektimin e trenave rajonalë dhe jo-rajonalë. Edhe në Milano është mbyllur katedralja ‘Duomo’, simbol i kryeqytetit Lombard, si edhe kinematë, teatrot, pubet dhe diskotekat.
Italia renditet tashmë e para në Europë për numrin e personave të infektuar dhe e katërta në botë pas Kinës, Koresë se Jugut dhe Japonisë. Ajo që shqetëson OBSH për situatën italiane të koronavirusit është se jo të gjitha rastet e regjistruara të infektuar duket se kanë një histori të qartë epidemiologjike, domethënë një lidhje me udhëtimin në Kinë ose kontakte me raste të tjera të konfirmuara tashmë.
- Rajoni i Lombardisë
Ndërsa sytë e europianëve janë në Itali, odisea e turistëve në bordin e anijes ‘Diamond Princess’, me spirancën e hedhur në portin e Yokohama në Japoni, ku numri i të vdekurve ka shkuar në tre, vazhdon.
Ndërkohë bilanci në Korenë e Jugut vazhdon të përkeqësohet dhe që nga dje autoritetet kanë ndezur alarmin në ngjyren e kuqe, maksimumi i pritshëm. 161 rastet e reja të zbuluara sot e kanë rritur numrin e të infektuarve në 763 kurse i viktimave ka shkuar në shtatë.
Shumica e rasteve të reja janë ende të lidhura me Kishën e sektit pseudokristian të Jezusit në qytetin Daegu në juglindje të vendit. Autoritetet po testojnë sistematikisht mijëra besnikë me qëllim identifikimin dhe izolimin e të infektuarve.
Situatë të vështirë po kalon Irani, i cili me 8 vdekjet e ditës së djeshme renditet pas kinës me numrin me të madh të atyre që kanë humbur jetën.
Në mesin e kaq shumë lajmeve të këqija, megjithatë, të paktën globalisht ka diçka pozitive: numri i personave të shëruar ngadalë po tejkalon atë të të infektuarve dhe po dëshmon se, përkundër faktit se ende nuk ekziston një vaksinë dhe kush e di se sa kohë duhet për të patur një të tillë, përhapja e emidemisë mund të kontrollohet dhe kufizohet.
Në Kinë numri i vdekjeve mbetet ende tragjik. 150 viktima janë regjistruar në 24 orët e fundit, të gjitha në Rajonin e Hubei duke e rritur numrin e atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi I epidemisë së koronavirusit në 2619. Sa i përket rasteve të reja të infektuar, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga autoritetet shëndetësore kineze, dje kishte vetëm 409 për një total prej 79 360
Pekini zyrtar ka vendosur të trefishojë pagat e 30,000 mjekëve që punojnë në spitalet në Hubei dhe të cilët po paguajnë një çmim shumë të lartë njerëzor: në 24 orët e fundit kanë humbur jëtën edhe dy të tjerë prej tyre në luftë me koronavirusin.
Në Kinë, nga ana tjetër, prodhimi i maskave kirurgjikale vazhdon shpejt edhe nëse dikush, në këto momente paniku, e shfrytëzon atë. Çmimet në faqet në internet janë rritur gjithashtu me një mesatare prej 300% kurse në Itali, shitja online e një maske ka shkuar në 40 euro.